Gati dy ditë nga tërmeti katastrofik, i cili goditi Mianmar dhe Tajlanden duke shkaktuar shkatërrim masiv, rreth 2000 persona rezultojnë të vdekur dhe mijëra të tjerë janë plagosur.
Vendet fqinje me Mianmarin kanë dërguar anije luftarake dhe avionë të ngarkuar me ndihma dhe personel shpëtimi. “Të gjithë spitalet ushtarake dhe civile, si dhe punonjësit e kujdesit shëndetësor, duhet të punojnë së bashku në një mënyrë të koordinuar dhe efikase për të siguruar përgjigje efektive mjekësore,” tha shefi i juntës, gjenerali i lartë Min Aung Hlaing, sipas mediave shtetërore. Opozita e Mianmarit është zotuar të ndalojë operacionet ushtarake sulmuese për dy javë.
OKB ka ngritur alarmin paralajmëron se një mungesë e madhe e furnizimeve mjekësore po pengon reagimin ndaj tërmetit vdekjeprurës që goditi Mianmarin, ndërsa kërkimi për të mbijetuarit vazhdon. Ekipet e kërkim-shpëtimit vazhdojnë të pastrojnë rrënojat e ndërtesave të shembura në të dy vendet për të gjetur të mbijetuar.
Fatkeqësia natyrore më vdekjeprurëse që ka goditur Mianmarin në vite ka dëmtuar infrastrukturën kritike, duke përfshirë një aeroport, autostrada dhe ura, duke ngadalësuar operacionet humanitare, sipas Kombeve të Bashkuara. Në disa nga zonat më të goditura të vendit ndihma e qeverisë është e pakët. Në Mandalay, shumica e operacioneve në qytetin e dytë më të madh të vendit po kryheshin nga grupe të vogla, të vetë-organizuara nga banorët që nuk kanë pajisjet e nevojshme.
Po ashtu e rëndë është situata edhe në spitalet në Mianmarin qendror dhe veriperëndimor. Luftimet në Mianmar kanë goditur kryesisht ekonominë, kanë zhvendosur mbi 3.5 milionë njerëz dhe kanë dëmtuar shërbimet thelbësore, si kujdesi shëndetësor.
Ndërkaq përpjekjet e shpëtimit po vazhdojnë në kryeqytetin tajlandez Bangkok, ku dhjetëra njerëz kanë mbetur të bllokuar kur një pallat i cili ishte në ndërtim u rrëzua nga tërmeti dy ditë më parë.
Në Tajlandë numri i të vdekurve është rritur në 17, ndërsa 83 persona mbeten ende të zhdukur. Autoritetet po përdorin ekskavatorë, dronë dhe qen kërkim-shpëtim në përpjekje për të nxjerrë personat e bllokuar.