Humbja e rëndë e Juventusit në “Franchi” kundër Fiorentinës, e cila erdhi pas disfatës 4-0 në shtëpi kundër Atalantës, vazhdon të shkaktojë polemika.
Sipas ish-mesfushorit Marco Tardelli, përgjegjësia bie mbi Thiago Motta dhe drejtuesit e klubit.
LEXO EDHE:
Inter, Marotta: Nuk flas për ‘Tripletën’. Rinovimi i Inzaghit? Janë të gjitha kushtet për të vazhduar
Në një intervistë për “La Stampa”, ai komentoi: “Gjithçka filloi me shkarkimin e Massimiliano Allegrit, i cili, pavarësisht kualifikimit në Champions dhe fitores së Kupës së Italisë, u largua. Një vendim i pashpjegueshëm, përveç nëse qëllimi ishte të ndryshoheshin rregullat në mënyrë radikale. Tani gjithçka është në duart e Giuntolit: skuadra, trajneri dhe merkatoja. Çfarë nuk u bë për Allegrin, u mendua të bëhej për Thiago Motta”.
Tardelli pranon cilësitë e Mottës si trajner, duke theksuar punën e tij të mirë te Bologna dhe Spezia, por kritikon qasjen e ndjekur te Juventusi: “Motta mendoi se vetëm ai ishte vendimtar, duke harruar se janë lojtarët ata që e përbëjnë ekipin, dhomën e zhveshjes. Ata janë aktorët e vërtetë të futbollit”.
Ai theksoi mungesën e një lideri të qartë në ekipin bardhezi: “Danilo dhe Rabiot ishin dy kapitenë të mundshëm, ndoshta tek ata mund të kishte gjetur një figurë me përvojë për ta menaxhuar një dhomë zhveshjeje kaq të ftohtë dhe të larguar nga trajneri. Vlahovic është zhdukur nga radari, një sulmues që mund dhe duhej ta ndihmonte Juventusin në vështirësi. Ai është kthyer në një ‘armik’, një goleador i vënë në shënjestër”.
Situata, sipas Tardellit, është shumë e vështirë për t’u përmirësuar: “Është e nevojshme një dozë e mirë përulësie nga të gjithë dhe reagim nga klubi, i cili ka qenë shumë i heshtur. Kjo heshtje, e shoqëruar me thashethemet për ardhjen e një pronari të ri, vetëm sa e përkeqëson situatën”.