Taravari: Sot 12 pacientë dalin nga spitali, tashmë kemi oferta nga disa vende të Evropës Perëndimore për rehabilitim afatgjatë të pacientëve më të rënduar
Pas përfundimit të mbledhjes së rregullt të shtabit të krizës, ministri i Shëndetësisë, Dr. Arben Taravari, informoi se sot po lirohen 12 pacientë nga spitalet në Shkup.
“Aktualisht kemi gjithsej 39 pacientë të shtruar në spitalet tona, nga të cilët 12 pacientë në Qendrën Klinike, 10 në Spitalin e Vjetër të Qytetit, 10 në Spitalin e Përgjithshëm ‘8 Shtatori’ dhe 7 në spitalet private. Me lirimin për trajtim në shtëpi të këtyre 12 pacientëve, praktikisht do të mbeten 27 pacientë në spitalet tona (në kirurgjinë pediatrike, ku ishin dy pacientë, nuk do të ketë më asnjë, ndërsa do të mbeten pacientë vetëm në kirurgjinë plastike dhe toksikologji). Jashtë vendit kemi 115 pacientë, nga të cilët, fatkeqësisht, 4-5 janë në gjendje më serioze, disa prej tyre kanë përkeqësim, por kolegët tanë jashtë vendit po japin maksimumin për t’i ndihmuar të kalojnë këtë periudhë të vështirë,” theksoi ministri Taravari.
Ministri informoi se me shumë gjasë sot do të kthehet nga Beogradi një pacient, për të cilin theksoi se është në gjendje të mirë të përgjithshme dhe do të qëndrojë minimum 24 orë në njërën nga klinikat për t’iu nënshtruar një vlerësimi mjekësor.
“Gjithashtu, ekipe nga kirurgjia plastike janë tashmë në rrugë për në Koçan, ku do të ofrojnë ndihmë për pacientët me djegie që janë liruar për trajtim në shtëpi. Këto ekipe do të ofrojnë mbështetje profesionale aty, në mënyrë që pacientët të mos kenë nevojë të udhëtojnë drejt Shkupit,” tha ministri.
Gjithashtu, ai informoi se ka oferta nga disa shtete të Evropës Perëndimore për rehabilitimin afatgjatë të pacientëve më të rënduar dhe se në ditët në vijim do të njoftohet se ku do të mund të sistemohen këta pacientë nëse kanë nevojë për këtë lloj trajtimi.