Taravari: Katër pacientë në gjendje kritike, pesë pacientë janë lëshuar sot, dy kthehen nga Lituania dhe Suedia

Nga gjithsej 21 pacientë të shtruar në spital në Shkup pas aksidentit në Koçan, sot do të lëshohen pesë. Katër pacientë që trajtohen jashtë vendit janë në gjendje kritike dhe te dy sërish është përkeqësuar gjendja. Ende ka pacientë të intubuar në gjendje të rëndë, por jo në rrezik për jetën, bëri të ditur ministri i Shëndetësisë Arben Taravari.

Siç tha Taravari në një konferencë për shtyp, jashtë vendit janë 89 pacientë, por dy po kthehen nga Lituania dhe Suedia. Ata fillimisht do të shtrohen dhe do të kontrollohen në spitalet vendase nga ku janë evakuuar, sipas protokollit do të mbahen 24 orë dhe më pas do të lëshohen në shtëpi.

Për nesër nuk ka paralajmërim për kthimin e pacientëve të tjerë nga jashtë vendit, por të hënën, theksoi ministri, me siguri do të kthehen pesë.

“Nga të shtruarit, gjashtë janë në Qendrën Klinike, gjashtë në Spitalin e Qytetit dhe pesë në Spitalin e Përgjithshëm “8 Shtatori”, ndërsa katër në klinika private. Sot janë lëshuar pesë pacientë, të cilët janë në gjendje më të mirë dhe po marrin mjekim shtëpiak, pas çfarë do të mbesin gjithsej 16″, informoi Taravari.