Sulmi në Ibër-Lepenc, edhe nga dy muaj paraburgim për vëllezërit Viqentijeviq

Gjykata Themelore në Prishtinë ua ka vazhduar masën e paraburgimit edhe për nga dy muaj të tjerë, Dragisha dhe Jovan Viqentijeviqit, të cilët dyshohen për sulmin e 29 nëntorit 2024 në kanalin e Ibër-Lepencit në Varagë të Zubin-Potokut.

Kështu ka deklaruar për Klankosova.tv zëdhënësja e kësaj gjykate, Mirlinda Gashi.

“Ju njoftojmë se pas kërkesës së Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës për vazhdimin e masës së paraburgimit në çështjen penale kundër të pandehurve J.V. dhe D.V., Gjykata Themelore në Prishtinë – Departamenti Special me datë 28.02.2025 ka marr Aktvendim dhe ka aprovuar kërkesën e PSRK-së, ashtu që masa e paraburgimit të pandehurve J.V. dhe D.V., iu vazhdohet në kohëzgjatje prej 2 (dy) muaj, për secilin”, deklaroi ajo për Klankosova.

Sipas Prokurorisë Speciale, vëllezërit Viqentijeviq me qëllim kanë dëmtuar pajisjen e ujësjellësit dhe kanë kryer veprën terroriste, duke përdorur eksploziv.

Shpërthimi në kanalin e Ibër-Lepencit në fshatin Varagë të Zubin-Potokut, dyshohet se u bë me rreth 20 kilogramë eksploziv.

Kjo ngjarje nga autoritetet e Kosovës cilësohët si sulm terrorist dhe përgjegjëse për këtë akt mbahet Serbia.

Ky sulm u dënua ashpër edhe ndërkombëtarët.

Lidhur me këtë rast gjatë kontrolleve në veri, Policia ka sekuestruar armë, municion, e pajisje tjera.