S’kishte vend në stacionin policor, ja ku e kaluan natën 5 lopët dhe dy viçat

Pesë lopët dhe dy viçat e konfiskuar dje, prej stacionit policor në Çuçer Sandevë u transferuan në një thertore në Studeniçan, ku edhe e kanë kaluar natën. Pronari tha se arsyeja e transferimit, siç i kanë thënë autoritetet, ishte mungesa e hapësirës në stacion. Ai këmbëngul se e posedon të gjithë dokumentacionin e nevojshëm dhe kërkon që të kthejë lopët e konfiskuara, ndërsa nënvizon se do të fillojë edhe procedurë gjyqësore, me çka ka angazhuar edhe avokat.

“Mua më kanë kapur nga ora një e ditës, më kanë mbajtur në stacion deri në orën 10 të natës, pastaj në 10 të natës kam thënë unë nuk i dërgoj askund lopët, unë këtu rri në stacion nuk i dërgoj askund, më kanë thënë patjetër duhet t’i dërgosh ti se nuk kemi ne transport, duhet t’i dërgoni te mishtorja Xheza. Na thanë te ai duhet të dërgohen se nuk kemi ku t’i mbajmë. Në fshatin Studeniçan, i kanë thirr më pas patrullat e tjera të policisë, i kanë lëshuar dritën dhe na kanë dërguar deri te Xheza në Studeniçan.… Kam thirr avokatë, do duhet tani t’i dërgoj dokumentet, avokati do të merret me këtë punë”, tha Besir Avdiu, pronar i lopëve.

Nga Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë sqarojnë se konfiskimi është kryer për shkak se personi që i ka transportuar kafshët nuk e ka poseduar dokumentacionin e nevojshëm. Nga Agjencia thonë se ndaj kryerësit në mënyrë shtesë do të ngrihet procedurë përkatëse kundërvajtëse.

“Kafshët janë konfiskuar sepse për to, personi që i ka transportuar nuk ka pasur certifikatë valide për gjendjen shëndetësore të kafshëve, ndërsa pasaportë ka pasur vetëm për njërën kafshë, dokumente që janë të obligueshme gjatë transportimit-lëvizjes së kafshëve. Një pjesë e kafshëve ishte e identifikuar në mënyrën e duhur, me etiketa në vesh, një pjesë jo”, thonë nga Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë.

Kafshët janë konfiskuar një ditë më parë, teksa pronari i cili thotë se sapo i kishte blerë, po i transportonte ato për në fshatin e tij në Bllacë.