Siria shpalos përbërjen e re të qeverisë

Një ceremoni për shpalljen e qeverisë së re siriane u mbajt të shtunën, me presidentin Ahmad al-Sharaa duke u zotuar se qeveria do të synojë të rindërtojë institucionet shtetërore bazuar në llogaridhënien dhe transparencën, raporton Anadolu.

“Ne jemi dëshmitarë të lindjes së një faze të re në rrugëtimin tonë kombëtar dhe formimi i një qeverie të re sot është një deklaratë e vullnetit tonë të përbashkët për të ndërtuar një shtet të ri”, tha Sharaa në një ceremoni në Pallatin Presidencial në Damask.

“Kjo qeveri do të synojë të hapë horizonte të reja në arsim dhe shëndetësi dhe ne nuk do të lejojmë që korrupsioni të depërtojë në institucionet tona”, tha ai.

Qeveria “do të rindërtojë institucionet shtetërore mbi bazën e llogaridhënies dhe transparencës”, shtoi Sharaa.

Qeveria e re përbëhet nga 22 ministra, duke përfshirë një grua.

Në përbërjen e qeverisë janë përzgjedhur: ministër i Mbrojtjes, Murhaf Abu Qasra; ministrër i Brendshëm, Anas Khattab; ministër i Jashtëm, Asaad al-Shaibani; ministër i Drejtësisë, Mazhar Al-Wais; ministër i Arsimit të Lartë, Marwan al-Halabi; ministre e Çështjeve Sociale dhe Punës, Hind Kabawat; dhe ministër i Vakëfeve Fetare (Awqaf), Mohammad Abu al-Khair Shukri.

Kabineti përfshin gjithashtu Hamzah Mustafanë si ministër Informacioni, ndërsa Yarob Badr do të kryesojë Transportin dhe Mohammad Eskaf Zhvillimin Administrativ. Mazen al-Salhani u emërua ministër i Turizmit, ndërsa Mohammad Sameh Hamad do të shërbejë si ministër i Rinisë dhe Sporteve.

Mohammad Saleh ka marrë rolin e ministrit të Kulturës dhe Mustafa Abdul Razzaq është emëruar ministër i Punëve Publike dhe Strehimit.

Ministria e Arsimit do të drejtohet nga Mohammad Abdul Rahman Turko, kurse Amjad Badr është emëruar ministër i Bujqësisë. Abdul Salam Haykal ka marrë postin e ministrit të Komunikimit dhe Teknologjisë së Informacionit, ndërsa Raed al-Saleh u emërua ministër i Emergjencave dhe Menaxhimit të Fatkeqësive.

Gjithashtu, në kabinet janë edhe Mohammad Anjarrani si ministër i Administratës Lokale, Musab Nazzal al-Ali si ministër i Shëndetësisë dhe Nidal Al-Shaar si ministër i Ekonomisë. Mohammad Yusr Barnieh është emëruar ministër i financave, ndërsa Mohammad al-Bashir do të shërbejë si ministër i Energjisë.

Ministrat mbajtën fjalime që u pasuan nga betimi para presidentit Sharaa.

Një qeveri e përkohshme e kryesuar nga kryeministri Mohammed Al-Bashir u emërua për një periudhë tremujore pasi regjimi i Bashar Asadit u rrëzua nga forcat kundër regjimit, të udhëhequra nga al-Sharaa, në dhjetor. Al-Sharaa u shpall president për një periudhë tranzitore në fund të janarit.

Asad, udhëheqësi i Sirisë për gati 25 vjet, iku në Rusi pasi grupet kundër regjimit morën kontrollin e Damaskut më 8 dhjetor, duke i dhënë fund regjimit të Partisë Baath, e cila kishte qenë në pushtet që nga viti 1963.