Siljanovska Davkova: Do të thotë shumë për ne Marrëveshja për bashkëpunim me Azerbajxhanin, pritjet janë të mëdha

Po finalizohet deklarata e partneritetit strategjik dhe bashkëpunimit me Azerbajxhanin, ndërsa përveç energjetikës, ka shumë mundësi për bashkëpunim edhe në ekonomi, turizëm, arsim, kulturë dhe shkencë, deklaroi sot presidentja Gordana Siljanovska Davkova, e cila ndodhet për vizitë zyrtare në Azerbajxhan.

Siljanovska Davkova, pas takimeve dy ditëve të fundit me lidershipin shtetëror të Azerbajxhanit, informoi se të dyja palët janë pajtuar se nuk ka asnjë pengesë për deklaratën që duhet të shndërrohet në marrëveshje bashkëpunimi, e cila, theksoi, do të thotë shumë për ne, njoftoi raportuesi i MIA-s nga Baku.

“Pothuaj është harmonizuar, megjithatë duhet të them se kishim pak kohë, përgjigja prej tyre erdhi të premten, është ende një dokument që kërkon shqyrtim të kujdesshëm, por u pajtuam që nuk ka asnjë pengesë. Shumë do të jetë e rëndësishme një marrëveshje e tillë, ashtu siç e kanë fqinjët tanë, por jo vetëm fqinjët tanë, por edhe shumë vende të BE-së, e në afërsi edhe Italia. Pse të mos bashkohemi me ta dhe të jemi në gjendje t’i afrohemi agjendës së gjelbër përmes këtij procesi të tranzicionit të gazit me ndihmën e Azerbajxhanit”, deklaroi Siljanovska Davkova.

Ajo sot u takua me kryetaren e Asamblesë Kombëtare të Azerbajxhanit, Sahiba Gafarova dhe kryeministrin Ali Asadov, ndërsa aktivitetet e saj i filloi dje me një takim me nikoqirin, Ilhan Alijev.

Siç vlerësoi, marrëdhënia është miqësore, ndërsa pritshmëritë janë të mëdha.

Në takimin me kryetaren e Kuvendit Popullor u shkëmbyen mendime për marrëdhëniet e përgjithshme dypalëshe mes dy vendeve, përfshirë bashkëpunimin në nivel parlamentar. Duke potencuar angazhimin e saj të mëparshëm si deputete, Siljanovska-Davkova theksoi rëndësinë e forcimit e mëtutjeshëm të bashkëpunimit ndërparlamentar, i cili zhvillohet përmes Grupit parlamentar të Parlamentit për bashkëpunim me Asamblenë Kombëtare të Azerbajxhanit.

Bashkëbisedueset shkëmbyen mendime dhe informacione për punën e dy parlamenteve, si dhe përfaqësimin e grave deputete në to. Presidentja theksoi se vizita zyrtare në Azerbajxhan, e cila realizohet në 30 vjetorin e vendosjes së marrëdhënieve diplomatike mes dy vendeve, do të kontribuojë në avancimin e bashkëpunimit.

Presidentja shprehu pritshmëri edhe për realizimin e iniciativave konkrete në më shumë fusha, siç janë: mbrojtja sociale, arsimi dhe shkenca, mjedisi jetësor, turizmi dhe komunikacioni.

Presidentja nesër do të marrë pjesë në Forumin e 12-të Global në Baku, “Rishqyrtimi i rendit botëror: Shndërrimi i sfidave në mundësi”, që në organizim të Qendrës ndërkombëtare “Nizami Ganxhavi”, do të mbahet prej 13 deri më 15 mars.