“Shpëton” Zëri i Amerikës, gjykata federale ndalon përpjekjet e Trump për ta mbyllur

Një gjyqtar federal në Shtetet e Bashkuara ka ndalur përpjekjet e administratës Trump për të mbyllur transmetuesin ndërkombëtar amerikan, Zëri i Amerikës.

Në vendimin e tij, gjyqtari Xhejms Pol Otken e quajti lëvizjen e presidentit “një rast klasik të vendimmarrjes arbitrare dhe kapriçoze”.

Gjithashtu, zyrtari bllokoi veprimin e Agjencisë Amerikane për Median Globale, që kontrollon Zërin e Amerikës, për të pushuar nga puna 1.200 gazetarë, inxhinierë dhe pjesëtarë të tjerë të stafit, në kuadër të urdhrit të Trump për ndërprerjen e fondeve.

Otken dha një urdhër të përkohshëm që ndalon agjencinë nga çdo përpjekje e mëtejshme për t’i dhënë fund, për të reduktuar fuqinë punëtore, për të mbyllur zyrat dhe për të rikthyer në Shtetet e Bashkuara punonjësit që veprojnë jashtë vendit.

Urdhri ndalon gjithashtu Agjencinë për Median Globale që të ndërpresë fondet për transmetuesit e tjerë, përfshirë Radion Evropa e Lirë, Radion Azia e Lirë dhe Radion Afganistani i Lirë.

Vetë institucioni njoftoi të enjten se rifillimin e lëvrimit të fondeve për Radion Evropa e Lirë, pasi një gjyqtar në Uashington DC e urdhëroi ta bënte.

Në seancën gjyqësore të mbajtur të premten në distriktin e Manhatanit, Otken fajësoi administratën Trump se ka vendosur t’i vërë çekanin një agjencie statusi i të cilës është i autorizuar dhe i financuar nga Kongresi.