Shkëmb Manaj reagon për herë të parë pas publikimit të mesazhit të tij në grupin e LDK-së në WhatsApp

Kandidati për deputet në listën e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Shkëmb Manaj, tashmë i zgjedhur nënkryetar i Prishtinës, ka reaguar për herë të parë pas publikimit të mesazhit të tij në grupin e LDK-së në WhatsApp ku ka akuzuar bashkëpartiakët, që janë edhe pjesë e Kryesisë Qendrore të LDK’së, se ia vodhën mandatin e deputetit.

Manaj një postim të publikuar mbrëmë në Facebook e ka nisur me njoftimin se është rizgjedhur nënkryetar i Prishtinës, çka thotë se për të është nder dhe përgjegjësi t’iu shpërbej qytetarëve të Prishtinës.

Në pjesën e dytë të shkrimit, Manaj flet për procesin zgjedhor, konkretisht për mbi 17 mijë votat që mori në zgjedhjet e 9 shkurtit, por asnjë shkronjë të vetme nuk e ka shkruar kundër bashkëpartiakëve për vjedhje të votave të deputetit, siç kishte bërë në grupin e LDK-së në WhatsApp, shkruan Reporteri.net.

“Miq të çmuar, Të dashur qytetarë,
Kam kënaqësinë t’ju njoftoj se sot me mbështetjen e Kryetarit të LDK-së z. Lumir Abdixhiku dhe me vendimin e Kryetarit të Kryeqytetit, z.Perparim Rama kam marr përgjegjësi të re, atë të Nënkryetarit të Prishtinës – Kryeqytetit të Republikës tonë! Ju jam mirënjohës për besimin e dhënë për ushtrimin e këtij funksioni me përgjegjësi të lartë jetësore! Është nder dhe përgjegjësi e madhe të vazhdoj t’i shërbej qytetarëve të Kryeqytetit, ashtu siç ju kam shërbyer për mbi tri vite radhazi nga funksioni i këshilltarit të Kryetarit Rama! Do të angazhohem me përkushtim për zhvillimin dhe mirëqenien e Kryeqytetit, duke u angazhuar se bashku me kolegët brenda administratës tonë për realizimin e projekteve zhvillimore të Prishtinës, të cilat janë në funksion për një jetë me të mirë për të gjithë qytetarët pa dallim!”.

“Miq të çmuar,
Plot 17 305 vota për mua në një proces zgjedhor për zgjedhjet nacionale, janë rezultat i angazhimit tim permanent për të mirën e vendit tonë, kudo që i kam shërbyer. Prandaj, falënderimi ju takon qytetarëve dhe strukturave tona që me zemër me kanë mbështetur në vazhdimësi, të cilëve edhe sot ju garantojë që pavarësisht sfidave, do të jem përherë në funksion të tyre, në funksion të LDK-së dhe përmes saj në funksion të shtetit të Kosovës. Nuk ka forcë që na ndal nga rruga e jonë e drejtë dhe ne jemi të palekundur në përcaktimin tonë✌️!
Zoti na bekoftë në këtë rrugëtim!”, ka shkruar Manaj të premten mbrëma në Faceobok.

Gazeta Online Reporteri.net e ka siguruar përmbajtjen e mesazhit të cilin Manaj e dërgoi me 3 mars 2025 në grupin e komunikimit të brendshëm, në “WhatsApp”, të anëtarëve të kryesisë qendrore të LDK-së.

Aty, ai tregon se pretendimet e tij ia ka ngritur si shqetësim të madh edhe vetë kryetarit Lumir Abdixhiku, në një takim që dyshja e kishin zhvilluar po në ditën kur Manaj e ka shkruar mesazhin – pak ditë pas zgjedhjeve të 9 shkurtit dhe daljes së rezultateve preliminare të votave me postë nga diaspora.

Manaj në mesazhin e tij për anëtarët e kryesisë së LDK-së thotë se e njoftoi kryetarin për manipulimet e procesit zgjedhor brenda listës zgjedhore të partisë, me theks të veçantë në votimet me postë.

Gazeta online Reporteri.net e ka kontaktuar Manajn të premten për ta konfirmuar mesazhin e tij.

“Kemi pas reagime brenda kryesisë qendrore të LDK-së, është e vërtetë, për çështjen e votave me postë, por temat i kemi trajatu brenda kryesisë qendrorë të LDK-së. Ne kemi bisedu brenda kryesisë, është temë e kryesisë qendrore të LDK-së edhe është temë e institucioneve që janë duke u marrë me këtë çështje”, tha ai përmes telefonit.

Pasi mori postin e nënkryetarit, gazetarja e Reporteri.net, Leonora Kolukaj e ka kontaktuar Manajn dhe e e ka pyetur nëse do të zmbrapset nga pretendimet, tash pasi mori pozitën e re.

“Këto çështje nuk lidhen me pozitën e nënkryetarit. Janë çështje që janë duke u trajtuar në institucione.”, tha Manaj. /Reporteri.net/