Shkarkimi i Tiago Motës kushton, “Zonja” duhet të shesë për të shmangur humbjen

Shkarkimi i Tiago Motës rrezikon të jetë një dështim i madh për Juventusin. Një dështim teknik, kryesisht, me projektin që iu besua trajnerit italo-brazilian, por që u shkatërrua pas vetëm nëntë muajsh, por mbi të gjitha një barrë për llogaritë financiare të bardhezinjve, që do të duhet të marrin masa për të shmangur humbjet e mëdha.

Po, sepse largimi i trajnerit do të kushtojë pothuajse 15 milionë, një shumë që do të ndikojë ndjeshëm në buxhetin përfundimtar të sezonit, të cilin Juventusi dëshironte ta mbante nën 32 milionë për të arritur pavarësinë financiare të kërkuar nga “Exor” (kompania që ka në pronësi klubin). Por lamtumira me trajnerin, me pagat për të paguar edhe për stafin, e bën më të vështirë bilancin për Juventusin, i cili duhet të rishikojë planet për qershorin, mes shitjeve dhe zgjedhjeve të kujdesshme për trajnerin që do të vijë.

E gjitha për të shmangur një kërkesë të re tek “Exor”. Largimi i Motës, në fakt, rrezikon të vërë në vështirësi projektin për të ardhmen e klubit bardhezi. E gjithë kjo, në fakt, rrotullohet rreth peshës së pagës së trajnerit, i cili në qershor 2024 nënshkroi një kontratë trevjeçare deri në vitin 2027, me një pagë prej 3.5 milionë eurosh neto në sezon.

Siç raporton “La Gazzetta dello Sport”, pas rritjes së fundit të kapitalit prej 200 milionë eurosh që ndodhi vitin e kaluar nga “Exor”, pronarët kanë kërkuar pavarësinë financiare nga Juventusi për të arritur fitime brenda dy sezoneve të ardhshme. Ata kanë kërkuar që klubi bardhezi të “gjejë mënyrën” për të qëndruar në kufijtë e humbjeve.

Për sezonin 2024-2025, për shembull, kufiri ishte vendosur në 32 milionë, që mund të arrihej pa largimin e Motës. Por tani, ndryshimi rrezikon të shkatërrojë gjithçka. Juventusi do të jetë i detyruar të shesë të paktën një lojtar për të qenë brenda pritshmërive që i është vendosur nga “Exor”, ose të kushtëzohet në merkato.