Shëndoshë e mirë kthehet në Maqedoni, pacienti i parë i tragjedisë në Koçan që u mjekua në Serbi

I pari nga 115 pacientët e lënduar në tragjedinë në diskotekën në Koçan të cilët po mjekohen jashtë vendit sot pasdite u kthye në vend. Bëhet fjalë për një pacient i cili mjekohej në një spital në Beograd dhe do të jetë nën mbikëqyrje në ISHP Klinika e Toksikologjisë – Shkup. Pacienti u prit nga ministrat e Shëndetësisë, Arben Taravari dhe i Politikës së Jashtme dhe Tregtisë së Jashtme, Timço Mucunski.

Drejtori i ISHP Klinika e Toksikologjisë – Shkup, Andon Çibishev deklaroi se pacienti i kthyer nga Serbia është në gjendje të përgjithshme klinike plotësisht të përmirësuar.

“Ai do të vëzhgohet në Klinikën Universitare të Toksikologjisë për një periudhë të caktuar, disa ditë ose ndoshta deri nesër. Për momentin po kryhen disa prova klinike. Ai është kontrolluar dhe është në gjendje krejtësisht të mirë, me parametra të mirë klinikë. Ne do të bëjmë disa nga kërkimet tona për t’u siguruar që mund ta lëmë të shkojë në shtëpi te familja e tij. Protokolli thotë se ne duhet të marrim të paktën një laborator bazë, të bëjmë një intervistë për të parë gjithçka që ai ka kaluar derisa po trajtohej atje. Ardhja në vendin dhe shtëpinë e tij, natyrisht, është pak situatë stresuese për të dhe nuk mund ta lëmë të shkojë menjëherë në shtëpi, por ai do të jetë me ne për një kohë, do të shoqërohet me personelin tonë, ndërsa në ndërkohë do t’i bëjmë analizat”, tha Çibishev.

Drejtori i Toksikologjisë theksoi se sipas Planit të Shtabit të Krizës ka përgatitur shumë ekipe të cilët përbëhen nga psikiatër dhe psikologë të cilët do të punojnë me pacientët të cilët mjekohen në vend dhe ata që do të kthehen nga jashtë.

“Absolutisht. Mendoj se edhe ministri në brifingun e mëngjesit me gazetarët tha se sipas Planit të Shtabit të Krizës ka përgatitur shumë ekipe të cilët përbëhen nga psikiatër, psikologë të cilët do të punojnë me të gjithë pacientët të cilët mjekohen në shtet dhe ata që do të kthehen nga shtetet ku ishin transferuar. Trauma psikike është e madhe dhe stresi është i madh. Atyre pacientëve me siguri do tu duhet edhe mbështetje psikiatrike dhe psikologjike”, tha Çibishev.