Sali Berisha: I kam shprehur ngushëllime me telefon vëllait të Thaçit, Gjykata Speciale bëri veprim keqdashës

Kryetari i PD-së në Shqipëri, Sali Berisha, ka bërë të ditur se e ka ngushëlluar familjen Thaçi.

Ai ka thënë se ka biseduar me telefon me vëllanë e ish-presidentit Thaçit, por që nuk e ka parë të arsyeshme që një gjë të tillë ta bëjë publike.

“Unë i kam marrë në telefon, nuk kam bërë mesazh publik. Kam marrë në telefon kryefamiljarin e tyre, dhe i kam shprehur ngushëllimet e mia më të ndjera për humbjen e të atit të tij të nderuar, dhe ata janë familje e nderuar”, tha Berisha mbrëmë në Syri TV.

Ai tha se veprimi i Gjykatës Speciale duke mos e lejuar Thaçin të vinte në varrim, ishte keqdashës.

“Kam ndjerë keqardhje që nuk i dhanë leje por nuk e gjykova të hyjë në debatin, sepse ishte veprim absolutisht pa asnjë bazë, dhe pa justifikuar, veprim keqdashës personal. Ti siç e prure me rojë për ta parë në spital po me roje sille për t’i dhënë lamtumirën e fundit. E prure në spital, lëre le ta përcjellë të atin, ka qenë president republike. Nuk e di ku e bazoi ajo gjykatë këtë veprim. Kam shprehur ngushëllime vëllait të Thaçit”, ka thënë Berisha.