Rubio: Faleminderit president Trump, e mbrojte Amerikën siç nuk ka bërë askush më parë

Sekretari amerikan i Shtetit, Marco Rubio, ka reaguar lidhur me menjëherë pas një takimi të dështuar mes presidentit amerikan, Donald Trump dhe atij ukrainas, Volodymyr Zelensky, i cili përfundoi në retorika shumë të ashpra dhe në prishjen e firmosjes së një marrëveshjeje historike për mineralet e rralla.

Përmes një publikimi, Rubio ka falënderuar Trumpin për mbrojtjen që i ka bërë SHBA-ve, duke thënë madje se të tillë, nuk e ka bërë asnjë president më parë.

Në reagim Rubio shkruan:

“Faleminderit President Trump që keni qëndruar kryelartë për Amerikën në një mënyrë që asnjë President nuk ka pasur guximin ta bëjë më parë.

Faleminderit që vendosët Amerikën në radhë të parë.

Amerika është me ju! Faleminderit!”.

Çfarë ndodhi?
Ajo që nuk pritej ka ndodhur në Washington. SHBA-të dhe Ukrainë kanë prishur nga sa duket një marrëveshje të mineraleve të rralla, që pritej të firmosej nga dy presidentët respektivë, Donald Trump dhe Volodymyr Zelensky.

Një debat tejet i acaruar gjatë takimit kokë më kokë me mediat e pranishme duket se është bërë shkaku.

Një konferencë e parashikuar për shtyp mes Trump dhe Zelensky, e cila pritej të mbahej pas takimit, është anuluar. Aty do të firmosej edhe marrëveshje, por duket se ajo nuk është më në tavolinë.

Zelensky, menjëherë pas debatit, është larguar nga Shtëpia e Bardhë.

Trump nga ana tjetër, pas reagimit të ashpër në takim, ka reaguar me një ton tejet të acaruar edhe përmes mediave sociale.

Trump shkroi menjëherë pas në median e tij sociale Truth: “Kam vendosur që presidenti Zelensky nuk është gati për paqe nëse përfshihet Amerika, sepse ai mendon se përfshirja jonë i jep atij një avantazh të madh në negociata. Nuk dua avantazhe, dua PAQE. Ai nuk i respektoi Shtetet e Bashkuara të Amerikës në Zyrën e tyre të dashur Ovale. Ai mund të kthehet kur të jetë gati për paqe”.