“Reuters”: Rusia i ka paraqitur ShBA-së një listë kërkesash për marrëveshjen për përfundimin e luftës
Rusia u ka paraqitur Shteteve të Bashkuara një listë me kërkesa në mënyrë që të bëhet marrëveshja për përfundimin e luftës kundër Ukrainës dhe që të rivendosen marrëdhëniet me Uashingtonin, sipas dy personave të afërt me çështjen.
Nuk është e qartë se çfarë ka përfshirë saktësisht Moska në këtë listë ose nëse Rusia është e gatshme për t’u përfshirë në bisedime të paqes me Ukrainën para pranimit të këtyre kërkesave. Zyrtarë amerikanë e rusë i diskutuan kushtet gjatë bisedave fizike e virtuale gjatë tri javëve të fundit, thanë dy burimet, raporton agjencia e lajmeve “Reuters”.
Ata i përshkruan kushtet e Kremlinit si të gjera dhe të ngjashme me kërkesat që Rusia ua ka paraqitur më parë Ukrainës, Shteteve të Bashkuara dhe NATO-s, përcjell gazeta “Nacionale”.
Në kushtet e paraqitura më herët përfshihej kundërshtimi i anëtarësimit të Ukrainës në NATO, një marrëveshje për të mos dislokuar ushtarë të huaj në Ukrainë dhe njohja ndërkombëtare e pretendimit të presidentit rus, Vladimir Putin, se Krimea dhe katër provinca të Ukrainës i përkasin Rusisë.
Ambasada ruse në Uashington dhe Shtëpia e Bardhë nuk iu përgjigjën menjëherë një kërkese për koment.
Presidenti amerikan, Donald Trump, është duke pritur lajm nga Putini nëse ai do të pajtohet me një propozim për armëpushim 30-ditor. Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, tha të martën se ai do ta pranonte propozimin si hap i parë drejt bisedimeve të paqes.
Zotimi i Putinit ndaj një marrëveshjeve të mundshme armëpushimi është ende i paqartë, përderisa hollësitë akoma nuk janë finalizuar.
Disa zyrtarë amerikanë, ligjvënës e ekspertë kanë frikë se Putini do ta shfrytëzonte armëpushimin me Ukrainën për ta intensifikuar atë që ata e quajnë përpjekje për t’i përçarë ShBA-në, Ukrainën dhe Evropën dhe për t’i minuar bisedimet e mundshme.
Në Kiev, presidenti Volodymyr Zelensky e vlerësoi lart takimin e kësaj jave në Arabinë Saudite mes zyrtarëve amerikanë e ukrainas, duke e cilësuar konstruktiv dhe tha se një armëpushim i mundshëm 30-ditor me Rusinë do të mund të përdorej për hartimin e një marrëveshjeje më të gjerë të paqes.
Moska i ka ngritur shumë prej kërkesave të njëjta gjatë dy dekadave të fundit dhe disa prej tyre e kanë gjetur rrugën drejt bisedimeve formale me ShBA-në dhe Evropën./Nacionale