Rama: Shqipëria ka fituar betejën kundër korrupsionit, por drejtësia zhvillon intervista si në epokën e gurit

Shqipëria ka bërë përparim në luftën kundër korrupsionit, sipas raportit të fundit të GRECO (Grupi i Shteteve kundër Korrupsionit) të Këshillit të Evropës, që vlerësoi masat e marra për të përputhur sistemet e tij me ato të Bashkimit Evropian. Gianluca Esposito, Drejtor i të Drejtave të Njeriut dhe Sundimit të Ligjit në Këshillin e Evropës, theksoi se korrupsioni nuk ka kombësi dhe mund të luftohet me sukses përmes sistemeve efektive dhe vullnetit politik. “Korrupsioni nuk është çështje kombësie, pasaporte apo përkatësie, është fenomen që mund të luftohet përmes sistemeve efektive dhe vullnetit politik”, shtoi ai.

Kryeministri Edi Rama u shpreh se Shqipëria e konsideruar një nga vendet më të korruptuar në Evropë është kthyer në një nga shtetet me progresin më të madh. “Kemi fituar me korrupsionin. Kur morëm detyrën ishim keq në të katër anët. Sot, Shqipëria është një nga 8 shtetet me progresin më të madh në dekadën e fundit”, u shpreh Rama.

Rama gjithashtu e konfirmoi se do të vazhdojnë përpjekjet për hapjen e kapitujve të bisedimeve me BE, me një objektiv të qartë për t’u anëtarësuar deri në vitin 2030. “Jemi të motivuar për tu bërë anëtarë të BE brenda 2030. Do vazhdojmë me hapjen e kapitujve ndryshe nga sa është thënë ditët e fundit ndryshe nga sa është thënë nga këneta.”

Në lidhje me reformën në drejtësi, Rama e ka kritikuar sistemin aktual përsa i përket intervistave në prokurori që zhvillohen pa audio dhe video. Kryeministri kërkoi që kjo të korrigjohet: “Në drejtësi jemi ende në epokën e gurit, zhvillojmë intervista pa audio dhe video. Kjo është diçka që duhet korrigjuar me urgjencë, dhe ne do ta mbështesim fuqimisht drejtësinë.”

Raporti i GRECO për Shqipërinë është i rëndësishëm pasi përfundon raundin e pestë të monitorimit, duke vlerësuar arritjet në parandalimin e korrupsionit dhe forcimin e integritetit në administratën publike. Ervin Hoxha, ministri i Brendshëm, theksoi përpjekjet e Policisë së Shtetit për përmbushjen e rekomandimeve të GRECO dhe promovimin e transparencës dhe meritokracisë. Ai gjithashtu nënvizoi: “Rezultatet e fundit të konkurseve treguan interes të shtuar dhe rritje të besueshmërisë për sa i përket garantimit për procese konkurrimi të drejta dhe bazuar në meritokraci.”