Qeveria: U miratua propozimi për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për media me qëllim forcimin e konkurrencës në hapësirën mediatike

Qeveria, në seancën e saj të 57-të të sotme, miratoi propozimin për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për media. Duke pasur parasysh faktin se rezultatet e hulumtimeve të fundit tregojnë se mbi 70% e publikut informohet në internet, duke bërë që mediat online të bëhen një faktor i rëndësishëm në hapësirën mediatike, u shfaq nevoja për përfshirjen e tyre në Ligjin për media. Kjo do të kontribuojë gjithashtu në stimulimin më intensiv të vetërregullimit si një segment i rëndësishëm për punën profesionale të gazetarëve dhe forcimin e konkurrencës në hapësirën mediatike.

Propozimi për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për media synon të forcojë konkurrencën në hapësirën mediatike dhe të zgjidhë problemet ekzistuese me portalet e internetit, duke krijuar një kornizë ligjore që i njeh ato si të tilla, përkatësisht duke përcaktuar rregulla të qarta për themelimin dhe regjistrimin e tyre.

Përveç kësaj, në seancën e sotme, Qeveria përcaktoi edhe anëtarët e Komisionit për përcaktimin e përfaqësueshmërisë nga institucionet përkatëse dhe atë, nga një përfaqësues nga Ministria e Ekonomisë dhe Punës, Ministria e Politikës Sociale, Demografisë dhe Rinisë, si dhe Ministria e Drejtësisë.

Qeveria, gjithashtu mori vendim për dhënien e një shpërblimi për hendbollistët në vlerë prej 3 milionë denarësh, si rezultat i përfaqësimit dinjitoz të sportistëve maqedonas në Kampionatin Botëror në Kroaci, me një falënderim të veçantë për vetëmohimin e tyre.

Duke pasur parasysh nevojën për ndërtimin e një muri mbështetës në QKU “Nëna Tereza”, Qeveria shqyrtoi dhe miratoi informacionin për një prokurim publik shumëvjeçar dhe dha pëlqimin për marrjen e obligimeve në programet e përfshira në pjesën zhvillimore të buxhetit, për pagesën e të cilave është i nevojshëm përdorimi i mjeteve buxhetore për vitin 2025 dhe vitin buxhetor 2026 të Ministrisë së Shëndetësisë.