Putin: Ukraina mund të vihet nën administratë të përkohshme

Presidenti rus, Vladimir Putin, sugjeroi se Ukraina mund të vihet nën një formë administrate të përkohshme për të mundësuar mbajtjen e zgjedhjeve të reja në vend dhe nënshkrimin e marrëveshjeve kyçe për arritjen e një zgjidhjeje, raportuan agjencitë ruse të lajmeve.

Në një deklaratë për mediat gjatë vizitës së tij në portin verior të Murmanskut, Putin tha gjithashtu se Rusia po ecën gradualisht, por me siguri, drejt realizimit të objektivave të saj në konfliktin që ka më shumë se tre vjet në Ukrainë.

Ai shprehu bindjen se presidenti amerikan Donald Trump, i cili ka ndërmarrë hapa për të përmirësuar marrëdhëniet me Moskën dhe për të arritur një marrëveshje, sinqerisht dëshiron paqe në Ukrainë. Putin, i cili mori pjesë në një konferencë në Murmansk kushtuar çështjeve të Arktikut, tha gjithashtu se Rusia është e gatshme të bashkëpunojë me Korenë e Veriut për zgjidhjen e konfliktit.

Deklaratat e Putinit për administratën e përkohshme duken si përgjigje ndaj ankesave të tij të vazhdueshme se autoritetet ukrainase nuk janë një partner legjitim në negociata, pasi presidenti Volodymyr Zelensky mbeti në pushtet edhe pas përfundimit të mandatit të tij në maj 2024.

“Kur në Ukrainë të krijohet një qeveri që gëzon besimin e popullit, atëherë mund të fillojnë bisedimet për një marrëveshje paqeje,” tha Putin gjatë një bisede me marinarët në port.

Ai gjithashtu deklaroi se përpjekjet e Trump-it për të vazhduar bisedimet e drejtpërdrejta me Rusinë – ndryshe nga paraardhësi i tij Joe Biden, i cili i shmangte kontaktet – tregojnë se presidenti i ri amerikan dëshiron paqe.

“Sipas mendimit tim, presidenti i sapozgjedhur amerikan sinqerisht dëshiron t’i japë fund konfliktit për disa arsye,” tha Putin, duke shtuar se ai është për një “zgjidhje paqësore të çdo konflikti, përfshirë këtë, por jo në dëm të Rusisë.”

“Ne kemi iniciativën strategjike përgjatë gjithë vijës së kontaktit ushtarak,” pretendoi ai. Rusia, tha ai, “po ecën me vendosmëri dhe siguri drejt realizimit të objektivave të saj.”

Putin tha gjithashtu se Rusia është e gatshme të bashkëpunojë me shumë vende, përfshirë Korenë e Veriut, për të ndihmuar në përfundimin e luftës në Ukrainë. Burime perëndimore dhe ukrainase raportojnë se më shumë se 11,000 ushtarë koreanoveriorë janë dërguar për të forcuar trupat ruse në rajonin e Kurskut, në perëndim të Moskës, megjithëse Moska nuk e ka konfirmuar këtë.