Prezantim ambivalent i ngjarjeve historike në romanin “Tuneli i Gentianës” të Ismail Arsllanit

 

 

 

 

MERXHAN JAKUPI

 

Romani “Tuneli i Gentianës”, i treti me radhë i autorit tetovar, Ismail Arsllani, që doli këtyre ditëve nga shtypi, është një rrëfim interesant që evokon një të kaluar të largët në një qytezë nga gjysma e parë e shekullit XIX dhe flet për një ngjarje të rëndësishme e të thurur me një stil dhe gjuhë të mrekullueshme që autori e bën lexuesin për vete. Ngjarja rrëfehet  në një mënyrë tejet të dramatizuar, që ndërlidhet me ndërtimin e një tuneli, ku gërshetohen situata mjaft të ndërlikuara, thotë redaktori i librit prof. dr. Zeqir Kadriu..

Autori Ismail Arsllani, sipas Kadriut, me një mjeshtri prej stilisti, ndërlidh ngjarjen, për të  formësuar një sekret hyjnor, që, më pas, përhapet në mes njerëzve si një magji e pakapshme. Si e tillë, ngjarja mbahet nën një sekret të  madh, për faktin se kjo ndërmarrje ndërtimore mund të rritej në një pakënaqësi të pa parashikueshme, siç thotë autori, në sytë e miletit varfanjak.

Narracioni komplet i romanit, ndërlidh tërësisht strumbullarin e ngjarjes që, me këtë rast, vetë Pashai angazhon në këtë projekt dy të rinj, Kapllanin dhe Gentianën, nga dy familje më prestigjioze të kasabasë, që të dy të diplomuar jashtë vendit, njëri kishte kryer arkitekturën në Vjenë dhe tjetra, Akademinë e Arteve në Stamboll. Këto personazhe, padyshim, ndërthurin dy kultura të ndryshme qytetërimesh që, njëkohësisht, janë dy protagonistët kryesorë të projektimit të kësaj vepre madhore prej shumë kohësh të menduar të kokën e Pashait të Kasabasë, i cili me propozim të këshilltarëve të vet do ta  pagëzojë tunelin, me emrin  e Gentianës.

Krahasuar me krijimet e mëparshme, romani “Tuneli i Gentianës” dukshëm dallohet për nga profesionalizmi, shtjellimi i ngjarjeve përmes trajtimit të personazheve, madje edhe me stilin, gjuhën dhe kronologjinë e mbarështimit prozaik. Kjo dëshmon se autori i veprës është njohës i thellë i kulturës dhe mbarështon me mjeshtri virtytet e popullit të vet dhe ndodhitë që lidhen me atë periudhë, që paraqet dobësimin e Perandorisë Osmane dhe largimin nga trojet ballkanike, nënvizon redaktori Kadriu.

Këtu autori, shton ai, ndërthur një gërshetim të rrëfimeve të vërteta, por edhe të miteve e sajimeve, që i ngre në një nivel artistik e strukturor. Ngjarjet në këtë roman dhe struktura ndërtimore e narracionit, bazohen në dy binarë: njëra, mbi ndërtimin e tunelit, si një objekt real, të një tuneli, ndërsa në anën tjetër kemi reflektimin e ngjarjeve që përjetohen si një “tunel” pa shtegdalje, për të ngritur tensionin deri në një katarzis shpirtëror nga fatkeqësitë që përjetojnë dhe kërcënimet e pareshtura që marrin.

Recensenti i këtij romani dhe kritiku letrar, Remzi Salihu, vë në dukje se romani “Tuneli i Gentianës” i autorit Arsllani, ka një rrjedhshmëri interesante të shprehjes gjuhësore, që e mban lexuesin në tension të vazhdueshëm deri në fund të ngjarjeve komplekse të jetës, duke ngjallur kështu kureshtjen për të zbuluar rrëfimin. Vepra përmban një magji të ndërlikuar konflikti, ku dashuria kapërcen hakmarrjen e vendosur mes protagonistëve kryesorë, Gentianës dhe Kapllanit, dhe familjeve të tyre. Struktura e romanit përfshin personazhe reale dhe të trilluara të asaj kohe, të cilët shpalosin kulturën dhe zakonet e këtyre trojeve. Sipas perceptimit dhe vëzhgimit kreativ, ky roman ngërthen në strukturën e vet më shumë atë që ka të bëjë me një fiksim se sa një realitet historik.

Autori Arsllani, nënvizon recensenti Salihu, në këtë roman bën një dialog artistik me të kaluarën e këtij populli, duke e vënë ngjarjen në shekullin e 19-të dhe kjo shkakton paraqitjen ambivalente të paradigmës intertekstuale të asaj që ka ndodhur e që ngjizet tani spontanisht dhe figurativisht në gjuhën e ngjeshur konvencionale, të personazheve reale dhe të atyre të imagjinuara fiktive. Ai bën ndërthurjen e një teksti me tekstin tjetër, të dhënë që më parë për nga materiali bazë i ngjarjes së rrëfyer. Asnjë rrëfim nuk mund të zhvillohet pa u bazuar në diçka që ka ndodhur më parë, qoftë ajo të ishte evidencë historike apo trillim imagjinativ. Autori duke e njohur mirë historinë e kësaj ane, lexuesve të kohës sonë ua afron një roman interesant dhe dinamik për të kujtuar ngjarjet dhe jetën e asaj kohe, nën sundimin osman, përfundon recensenti Salihu. Romani me 288 faqe, u botua nga “Litera group” në Shkup.