Policia e Shtetit merr masa për ndeshjen Shqipëri – Andorra

Policia e Shtetit ka hartuar një plan të detajuar masash për garantimin e rendit dhe sigurisë publike në prag të ndeshjes ndërkombëtare Shqipëri – Andorra, e cila do të zhvillohet më 24 mars, ora 20:45, në stadiumin “Arena Kombëtare”.

Forcat e rendit do të sigurojnë eskortën e ekipit të Andorrës nga mbërritja në Rinas, gjatë qëndrimit në hotel dhe deri në kthimin e tyre. Njësoj do të veprohet edhe për skuadrën e Shqipërisë. Për të shmangur futjen e sendeve të ndaluara, do të kryhen kontrolle të hollësishme në dhe përreth stadiumit, para hyrjes së tifozëve.

LEXO EDHE:
Granit Xhaka mbështet publikisht Gjestin, pak para finales
Për të garantuar mbarëvajtjen e aktivitetit, do të angazhohen Patrullat e Përgjithshme, Shqiponjat, Policia Kriminale, Policia Rrugore dhe Forca Kombëtare e Sigurisë. Këto forca do të mbikëqyrin jo vetëm stadiumin, por edhe të gjithë territorin e Tiranës, duke menaxhuar trafikun dhe duke garantuar rrugëkalimet për shërbimet e emergjencës.

Policia ka koordinuar veprimet me Federatën Shqiptare të Futbollit, UEFA-n, Gardën e Republikës, Policinë Bashkiake, shërbimet zjarrfikëse, shoqëritë private të sigurisë dhe institucionet shëndetësore për të garantuar sigurinë e plotë të këtij eventi.

Në kuadër të masave, më 24 mars nga ora 15:00 deri pas përfundimit të ndeshjes, do të ketë kufizime të qarkullimit në disa akse pranë stadiumit, përfshirë Bulevardin “Dëshmorët e Kombit”, rrugën “Papa Gjon Pali II”, rrugën “Dervish Hima” dhe disa segmente të tjera kryesore në kryeqytet.

*Bulevardi “Dëshmorët e Kombit”, nga kryqezimi i Presidencës drejt sheshit “Nënë Tereza”;
* Rruga “Papa Gjon Pali II”;
* Rruga “Dervish Hima”, pranë ambasadës së SHBA-së;
* Rruga “Asim Zeneli”, pranë ambasadës së SHBA-së;
* ⁠rruga “Themistokli Germenji”;
– rruga “Gjergj Filipi”;
* Rruga “ Lekë Dukagjini”, nga ish-Garda e Republikës deri te stadiumi;
* ⁠rruga “Faik Konica”;
* ⁠rruga “Skerdilajd Llagami”.

Policia kujton se hyrja e personave të paautorizuar në fushë përbën kundërvajtje penale dhe dënohet me gjobë deri në 100,000 lekë ose me burgim deri në tre muaj. Hedhja e sendeve të forta apo përdorimi i lëndëve piroteknike dënohet deri në tre vjet burg.

Gjithashtu, falsifikimi ose shumëfishimi i biletave përbën vepër penale dhe çdo biletë do të jetë e pajisur me barcode për kontrollin elektronik të hyrjeve.

Hyrja e tifozëve në stadium do të nisë në orën 18:00. Për të shmangur radhët e gjata, Policia u bën thirrje sportdashësve të mbërrijnë më herët, pasi vonesat mund t’i pengojnë të ndjekin ndeshjen.

Policia e Shtetit ka angazhuar qindra efektivë për të garantuar mbarëvajtjen e ndeshjes dhe për të ndihmuar tifozët në çdo rast nevoje, duke synuar që eventi të përmbyllet pa incidente, në interes të imazhit të vendit