Plagosi me armë gjahu një 53-vjeçar, arrestohet i riu në Elbasan

Plagosi me armë gjahu një shtetas, gjatë një konflikti për motive të dobëta, falë reagimit të menjëhershëm të Policisë identifikohet, kapet dhe vihet në pranga autori.

I arrestuari, me precedent të mëparshëm penal në fushën e vjedhjes.

Gjatë operacionit policor të koduar “Reagimi”, Policia i gjeti në banesë autorit të dyshuar një armë zjarri automatike me silenciatorë, armën e gjahut me të cilën dyshohet se plagosi 53-vjeçarin dhe municion luftarak.

Arma e zjarrit me silenciator u dërgua në Institutin e Policisë Shkencore për ekzaminim të mëtejshëm, për të parë nëse kjo armë është përdorur në ndonjë ngjarje kriminale të ndodhur më parë.

Procedohet penalisht dhe një 35-vjeçar, për moskallëzim të krimit.

Shërbimet e Komisariatit të Policisë Elbasan, si rezultat i veprimeve të shpejta operacionale dhe hetimore, menjëherë pas marrjes së njoftimit se një shtetas kishte shkuar në spital, për të marrë ndihmë mjekësore, i dëmtuar në këmbë, dyshuar me armë gjahu, kanë organizuar dhe finalizuar operacionin policor të koduar “Reagimi”.

Si rezultat i operacionit, u bë i mundur identifikimi, kapja dhe arrestimi në flagrancë i autorit të dyshuar, shtetasit Ilir Dedja 32 vjeç, me precedent të mëparshëm penal në fushën e vjedhjes.

Nga veprimet hetimore dyshohet se 32-vjeçari, gjatë një konflikti për motive të dobëta, ka qëlluar me armë gjahu shtetasin B. B., 53 vjeç, i cili është në kujdesin e mjekëve, jashtë rrezikut për jetën.

Më tej, në vijim të veprimeve u referuan materialet në Prokurori ku nisi procedimi penal për shtetasin A. M., 35 vjeç, pasi dyshohet se ka patur dijeni për ngjarjen dhe nuk ka kallëzuar.

Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme./tch/