Përshkallëzon situata në Lindjen e Mesme, Izraeli i kundërpërgjigjet Hezbollahut

Izraeli ka njoftuar se po sulmon caqet e Hezbollahut në Libanin jugor pasi u raportua se janë hedhur raketa në drejtim të Izraelit nga Libani. Një sulm i tillë është i pari që nga hyrja në fuqi e marrëveshjes dypalëshe të armëpushimit në nëntor, raporton BBC.

Kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu tha se ka udhëzuar Forcat e Mbrojtjes të Izraelit “të veprojnë me forcë kundër dhjetëra objektivave terroriste në Liban”.

Ushtria izraelite ka njoftuar më herët se tre raketa u rrëzuan në qytetin izraelit të Metula të shtunën në mëngjes. Nuk raportohet për të lënduar.

Asnjë grup nuk e ka pranuar se ka lëshuar raketat. Kryeministri i Libanit, Nawaf Salam, i kërkoi ushtrisë të ndërmarrë hapa për të parandaluar tërheqjen e vendit “në një luftë të re”.

Forca paqeruajtëse e OKB-së në Liban, Unifil, ka theksuar se ishte “e alarmuar nga përshkallëzimi i mundshëm i dhunës”, duke i kërkuar si Izraelit ashtu edhe Libanit që “të respektojnë angazhimet e tyre”.

Shefi i ushtrisë izraelite, Eyal Zamir tha më herët se “shteti i Libanit mban përgjegjësi” për ruajtjen e marrëveshjes së armëpushimit që i dha fund 14 muajve luftime me Hezbollahun, grupi i armatosur libanez i mbështetur nga Irani.

Armëpushimi ka qenë i brishtë: Izraeli ka kryer pothuajse çdo ditë sulme ajrore mbi ato që i përshkruan si objektiva të Hezbollahut dhe ka treguar se sulmet do të vazhdojnë për të parandaluar riarmatimin e grupit.

Përveç kësaj, ushtria izraelite ende po pushton pesë lokacione në Libanin jugor, në atë që qeveria libaneze e konsideron shkelje të sovranitetit të vendit dhe shkelje e marrëveshjes së armëpushimit, e cila kërkonte tërheqjen e trupave izraelite.

Izraeli pretendon se ushtria libaneze nuk është vendosur ende plotësisht në ato zona dhe se duhet të qëndrojë në ato pika për të garantuar sigurinë e komuniteteve të saj kufitare.