Perinski në Studeniçan: Investojmë edhe në mjediset rurale – ata janë të barabartë në rëndësinë e tyre si edhe të tjerat

Në komunën Studeniçanit në Shkup, sot ka filluar rikonstruimi i rrugës lokale 6.5 km të gjatë Draçevë – Motel Kitka, një projekt i financuar nga thirrja e parë qeveritare për mbështetje financiare të projekteve infrastrukturore komunale. Në fillimin zyrtar të aktiviteteve ndërtimore morën pjesë ministri i vetëqeverisjes lokale, Zllatko Perinski, kryetari i Qeverisë, Hristijan Mickoski, ministri i transportit, Aleksandar Nikolloski, zëvendëskryeministri i parë dhe ministri i mjedisit jetësor, Izet Mexhiti, zëvendësministri i vetëqeverisjes lokale, Erxhan Selimi dhe Kaltrina Zekoli Shaqiri, zëvendësministre e transportit.

Kryetari i komunës, Azem Sadiki, sqaroi se bëhet fjalë për një rrugë 6.42 km të gjatë, nga fshati Cërvena Voda deri te moteli Kitka, dhe projekti parashikon rikonstruimin e plotë dhe përmirësim me infrastrukturën e nevojshme.
“Jam shumë i lumtur që Qeveria vazhdon të ndihmojë komunat, veçanërisht ato rurale. Kjo rrugë është shumë e rëndësishme për komunën tonë, sepse jo vetëm që do të mundësojë transport më të shpejtë, më të lehtë dhe më të sigurt për banorët e fshatrave malore, por gjithashtu do të krijojë kushte për nxitjen dhe zhvillimin e turizmit dhe për investime në rrethinën e Shkupit, duke pasur parasysh afërsinë dhe bukurinë e Kitkës”, theksoi Sadiki.

Ministri Perinski deklaroi se ky projekt është dëshmi e përkushtimit të Qeverisë për të investuar në përmirësimin e infrastrukturës në të gjitha komunat dhe rajonet.
“Për këtë Qeveri nuk ka komuna të harruara, ndihmojmë aty ku është më e nevojshme, e këto janë zonat rurale me të gjitha sfidat që kanë në aspektin e investimeve kapitale. Gëzimi i banorëve që pamë sot është dëshmi se Qeveria po hap rrugë që bazohen ekskluzivisht në nevojat e qytetarëve, dhe në këtë drejtim do të vazhdojmë për të përmirësuar cilësinë e jetës së të gjithë qytetarëve në të gjithë territorin e Maqedonisë”, theksoi Perinski, i cili, si pjesë e vizitave në terren “Ku zemra është në shtëpi”, më herët së bashku me zëvendësin e tij, Selimi, zhvilluan një takim pune me kryetarin e komunës, anëtarët e Këshillit komunal dhe përfaqësuesit e administratës, ku diskutuan për gjendjen aktuale në komunë.

Mbështetje për të gjitha komunat edhe në periudhën që vjen paralajmëroi edhe kryeministri Mickoski, i cili tha se Qeveria do të vazhdojë të investojë në projekte që do të sjellin një jetë më cilësore, më komode dhe më të bukur, pavarësisht nga përkatësia politike e kryetarëve të komunave.
“Nuk kemi ndërmend të harrojmë asnjë vend në gjithë territorin e Maqedonisë, do të investojmë kudo. Këtë e kemi bërë tashmë për nëntë muaj, po tregojmë një mënyrë ndryshe të funksionimit të Qeverisë. Do të vazhdojmë kështu edhe në të ardhmen, sepse qytetari, maqedonasi, shqiptari, turku, serbi, romi, boshnjaku, vllahu dhe të gjithë të tjerët janë në qendër të vëmendjes sonë dhe të gjithë së bashku do të punojmë për një të ardhme më të mirë për ta”, deklaroi kryeministri Mickoski.

“Dallimi në mënyrën e funksionimit të kësaj Qeverie është i dukshëm”, vlerësoi zëvendëskryeministri i parë dhe ministri i mjedisit jetësor, Mexhiti.

Ministri i transportit, Nikolloski, informoi se aktualisht në fshatin Studeniçan po përfundon edhe rikonstruimi i një rruge lokale me gjatësi 840 metra, ndërsa është në proces procedura e tenderit për ndërtimin e një rruge të re në Maranë, projekte që do të ofrojnë mbështetje shtesë për përmirësimin e infrastrukturës në këtë komunë.

Perinski në Studeniçan: Investojmë edhe në mjediset rurale – ata janë të barabartë në rëndësinë e tyre si edhe të tjerat