Për veprën penale “Vepra të rënda për sigurinë e përgjithshme sipas nenit 292, e cila u ngarkohet 27 personave të dyshuar për rastin e djegies së kabaresë në Koçan ku humbën jetën 59 persona dhe rreth 200 të tjerë u lënduan, në 10 vitet e fundit në Gjykatën Penale të Shkupit, e cila është gjykata më e madhe në vend, janë miratuar aktgjykime për gjithsej 105 persona. Paralajmërimet nga Prokuroria janë se të akuzuarit do të dënohen me burg deri në 20 vjet, megjithatë praktika e deritanishme tregon se në fakt, gjykatësit kanë qenë të kursyer kur kanë vendosur për nivelin e sanksionit për këtë vepër, edhe pse, për hir të vërtetës rasti i tragjedisë së Koçanit nuk është i krahasueshëm me asnjë rast tjetër.
Sipas të dhënave që ka siguruar Alsat, vetëm 22 persona janë dënuar me burg, nga 105 aktgjykimet në total, ndërsa vetëm dy prej tyre kanë marrë dënim me nga 5 vite burg, i cili është dhe dënimi maksimal i shqiptuar gjatë kësaj periudhe në Gjykatën Penale të Shkupit për këtë vepër. 1 është dënuar me 4 vjet burg, ndërsa katër të tjerë me nga 3 vjet burg. Pesë persona janë ndëshkuar me nga 2 vjet burg, ndërsa 8 të tjerë me nga 1 vit burg. Në mesin e tyre është edhe një person i cili në një lëndë të vitit 2020 është dënuar me vetëm 9 muaj burg.
Ndonëse në asnjërin prej paragrafëve të nenit 292 nuk parashihet dënim burg me kusht, gjykatësit në periudhën 2015-2025 çdo të dytin person e kanë dënuar me këtë lloj sanksioni. Sipas të dhënave, gjithsej 48 persona janë dënuar me burg me kusht prej 1 deri në 5 vjet burg. Në 3 raste të tjera, janë shqiptuar dënime burg me kusht, por me mbikëqyrje të mbrojtur.
Gjithashtu, me nenin 292 nuk parashihet që të akuzuarit të dënohen me para, megjithatë, sipas të dhënave të Gjykatës Penale, në këtë periudhë kohore ka pasur gjithsej 17 raste të tilla. Në të dhënat tabelare nuk shpjegohet se sa ka qenë vlera e shumës së parave, me të cilën janë ngarkuar që ta paguajnë të dënuarit.
Të dhënat tregojnë se për gjithsej 5 persona është ndërprerë procedura gjyqësore, për 3 persona është refuzuar akuza, ndërsa 3 të tjerë janë liruar nga akuza. Për 1 person, prokurori ka kërkuar tërheqjen e akuzës, ndërsa 3 persona janë obliguar për trajtim psikiatrik.
Që gjykatësit janë treguar të butë në shqiptimin e dënimit për veprën penale me të cilën ngarkohen të dyshuarit e tragjedisë së Koçanit, gjegjësisht “Vepra të rënda kundër sigurisë” sipas nenit 292 të Kodit Penal, tregohet edhe në rastin e djegies së Spitalit Modular në Tetovë më 8 shtator të vitit 2021, kur tragjikisht humbën jetën 14 pacientë derisa po shëroheshin për COVID19. Ish drejtorit Florin Besimi dhe Artan Etemi pas dy vitesh gjykim u dënuan me burg me kusht në afat prej një vit e gjysmë. Më pas, Gjykata e Apelit e ktheu lëndën në rigjykim, e cila më 18 mars të këtij viti mbajti seancë gjyqësore ku të akuzuarit mohuan sërish fajin.
Pavarësisht se të dhënat tregojnë se politika e sanksionimit për kryerësit e veprave të rënda kundër sigurisë ka qenë e butë, kryeprokurori Lupço Kocevski në daljet e tij para mediave ka paralajmëruar se të dyshuarit në rastin e klubit të natës në Koçan, mund të dënohen me burg në kohëzgjatje prej 20 vite burg, diçka që nuk ka ndodhur në dekadën e fundit.
“Në këtë moment fillestar, përgjegjësia e të gjithë të përfshirëve në ngjarje dhe atyre që plotësisht do të konstatohet do të vlerësohet nëpërmjet prizmit të veprës penale “Vepra të rënda kundër sigurisë së përgjithshme” sipas nenit 292 nga Kodi Penal, për çka parashihet dënim me burg prej së paku 3 vite, pa kufizim të lartë të dënimit që do të thotë se dënimi mund të lëvizë deri më 20 vite”, tha Lupço Kocevski, kryeprokuror./Alsat.mk