Pas tragjedisë në Koçan, kontrolle intensive do të bëhen edhe në Tetovë

Pas tragjedisë në Koçani kontrolle intensive do të bëhen edhe në Tetovë. Autoritetet komunale njoftojnë se nga nesër ekip zjarrfikësish dhe përfaqësues të institucioneve të tjera kompetente do të kontrollojnë nëse në Spitalin Klinik të Tetovës ka hidrantë dhe aparate kundër zjarrit dhe nëse janë funksionalë.

“Nëpër spitale i kemi të vjetruar aparatet kundër zjarrit, dhe ne bashkë me drejtorin e ri në Tetovë me drejtorinë e Mbrojtjes dhe Shpëtimit, nga e hëna do bëjmë kontrolle në gjithë institucionet e rrafshit të Pollogut. Sidomos tek pjesa e barakave të spitalit të Tetovës që është e vjetruar dhe instalimi i rrymës nuk dihet se si është, andaj dhe do duhet të bëjmë kontrollet që kemi në kompetencat tona”, tha Avni Ameti, Shef i NJTKZ Tetovë.

Në kontroll do të dalë edhe Inspektorati i Ndërtimtarisë. Në shënjestër nga e hëna do të jenë banesat kolektive të cilat do kontrollohen nëse kanë apo jo hidrantë funksionalë, aparate kundër zjarrit por edhe shkallë evakuimi.

“Nga Inspektorati Komunal do të inspektohen objektet private dhe kolektive. Por, theks i veçantë duhet t’i kushtohet pranimit teknik të objekteve, dhe mbikëqyrësit duhet të kenë parasysh realizimin e çdo gjëje që parasheh projekti dhe mos bëhet pranimi teknik në rast të lëshimeve”, tha Rilind Selamani, Shef i Sektorit të Urbanizmit në Komunën e Tetovës.

Ndryshe nga urbanizmi, Sektori për Arsim ditë më parë ka dalë me urdhëresë për drejtorët e shkollave fillore dhe të mesme të Tetovës.

“Është dhënë urdhëresa deri tek drejtorët e shkollave fillore e të mesme, që nga e hëna, bashkë me njësitin kundër zjarrit që do vizitojnë shkollat e vendit që të kontrollohen hidrantët nëpër shkolla por edhe pajisjet kundër zjarrit. Ne si komunë kemi urdhëruar gjithë drejtorët që të veprojnë sipas instruksioneve që do të japin njësia kundër zjarri që të riparojnë apo zëvendësojnë pajisjet në kuadër të mundësive. E nëse nuk kanë buxhet për të siguruar të njëjtat, Komuna e Tetovës do t’i ndihmojë”, u shpreh Nazmi Dauti, Sektori për Arsim në Komunën e Tetovës.

Problem më i madh vazhdojnë të mbeten banesat kolektive, që kanë mungesë të hidrantëve por edhe shkallëve për shpëtim.

Vizituam pothuajse gjitha objektet kolektive të Tetovës, por vendi i vetëm që ka shkallë për evakuim është vetëm objekti i Teatrit të Tetovës dhe asnjë objekt tjetër./Alsat.