Partitë gjermane arrijnë marrëveshje për ndryshimin kushtetues, duke hequr “frenën e borxhit”

Partitë më të mëdha gjermane, CDU/CSU, SPD dhe Të Gjelbrit, kanë arritur një marrëveshje për të ndryshuar kushtetutën e vendit me qëllim heqjen e “frenës së borxhit”.

Sipas informacioneve të Bild, përfaqësuesit e këtyre tre partive, të cilat kanë shumicën prej dy të tretash në përbërjen aktuale të Bundestagut, arritën një marrëveshje mëngjesin e sotëm.

Detajet nuk janë bërë të ditura, por është e qartë se ose do të fshihet, ose do të ristrukturohet “frena e borxhit”, e cila e pengonte Gjermaninë të merrte hua mbi një përqindje të caktuar, konkretisht 0.35 për qind të GDP-së.

Ky amendament u fut në kushtetutën gjermane në vitin 2009 dhe kishte për qëllim garantimin e stabilitetit fiskal dhe financiar të vendit.

Megjithatë, këto tre parti, të udhëhequra nga kancelari i ardhshëm, Friedrich Merz, kanë vendosur se ka ardhur koha për ta shfuqizuar këtë amendament. Fondet që do të sigurohen nga huamarrja do të përdoren për një modernizim të madh të ushtrisë gjermane.

Gjithashtu, koha për marrëveshje ishte e kufizuar. Në shkurt u mbajtën zgjedhjet e parakohshme dhe, pasi të konstituohet Bundestagu i ri, këto tri parti nuk do ta kenë më shumicën e nevojshme prej dy të tretash.

Për të ristrukturuar këtë amendament pas kësaj faze, do të duhej të kërkonin mbështetjen e ekstremit të djathtë, AfD, e cila do të bëhet partia e dytë më e madhe në Bundestag sapo të zbatohen rezultatet e zgjedhjeve të shkurtit.

Një marrëveshje me AfD do të thoshte shkelje e të ashtuquajturës “barrierë” (Brandmauer), një rregull i pashkruar sipas të cilit nuk duhet të bashkëpunohet me të djathtën radikale.

Marrëveshja e parë u arrit javën e kaluar, kur u pajtuan Merz nga CDU/CSU dhe Olaf Scholz nga SPD. Fillimisht, Të Gjelbrit ishin skeptikë, por sipas Bild, mëngjesin e sotëm është arritur marrëveshja përfundimtare, duke përmbushur kështu kushtet për ndryshimin e kushtetutës gjermane.