Nuk njeh Prokurori e as Gjykatë, Kurti sërish s’paraqitet për intervistim për skandalin me rezervat shtetërore
Përkundër urdhërit të Gjykatës Themelore të Prishtinës që Kryeministri Albin Kurti të paraqitej sot në Prokurorinë Speciale të Republiks së Kosovës për intervistim për skandalin për rezervat shtetërore, një gjë e tillë as s’u mor parasysh nga kreu i ekzekutivit, pasi qysh dje Ministria e Arsimit ishte përkujdesur që të njoftonte se ai do të ishte bashkë me Ministren në Gjilan, po në orën e njëjtit 10:00, në vendosjen e një gurëthemeli të një çerdheje atje, shkruan Gazeta Online Reporteri.net.
Kur të shumtë ishin gazetarët që po e prisnin Kurtin se mos do paraqitej në Prokurori, ai u shfaq në Gjilan, e që pas vendosjes së gurëthemelit të një çerdheje atje, ai u pyet nga Gazeta Online Reporteri.net nëse vendimi për t’ju mos përgjigjur Prokurorisë e Gjykatës, ishte shpërfillje apo “kaq e parëndësishme ishte Prokuroria” për të.
Por, për këtë Kryeministri tha se ai gjithmonë ka qenë i interesuar të japë dëshminë e tij, por insistoi sërish në atë që kishte deklaruar më parë, që ajo të ndodhte në zyren e tij.
Ai madje sot përmendi sërish dhe oraret që u kishte caktuar prokurorëve në rast se do t’i shkonin në zyre për të dhënë dëshmi.
Sipas Kurti, Prokuroria po të ishte e intersuar mund ta merrte dëshminë qysh në muajin dhjetor, ndërsa nuk kurseu as sulmet ndaj mediave.
Madje sipas tij, Prokuroria po e keqpërdor lirinë për të sulmuar qeverinë.
“Nëse Prokuroria e ka pasur të rëndësishme dëshminë time ajo do të vinte tek ne. Një Prokuror që e ka synim dëshminë e dëshmitarit, ai nuk humb kohë. Pse i humbi prokruroria tre muaj? Për boindjen time të fuqishme, pasi është e interesuar të mbush ballinat e ndonjë portali të oligarkut sesa të sjell drejtësi”, ishte përgjigjja e Kurti në pyetjen e drejtuar nga Gazeta Online Reporteri.net.
“Kurrë Prokuroria ska qenë më e lirë, lirinë po e keqpërdor për ta lufutar qeverinë dhe kjo krimin e korrupsionin. Unë jam i gatshëm dhe kam qenë gjithmonë i interesuar”.
Për shpërfilljen e Kurtit ndaj Prokurorisë Speciale, kjo e fundit përmes një deklarate të lëshuar për media tha se do të veprojnë konform ligjit. Prokuroria Speciale theksoi se edhe përkundër faktit që Albin Kurti kishte urdhër Gjykate që të paraqitej për intervistin, ai nuk u paraqit.
“Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës, pas interesimit të shumë gazetarëve, informon se dëshmitari A.K. nuk është paraqitur në Prokurorinë Speciale për të dhënë dëshminë e tij edhe përkundër faktit se i njëjti ka qenë i obliguar me Urdhër të Gjykatës Themelore në Prishtinë që të paraqitet në cilësi të dëshmitarit, për të dhënë dëshminë e tij me datë 04.03.2025 në ora 10:00, në Prokurorinë Speciale të Republikës së Kosovës. Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës edhe në këtë rast penal, sikurse në të gjitha rastet tjera do të veproj duke respektuar legjislacionin në fuqi”, thuhet në njoftimin e Prokurorisë.
Gjykata Themelore e Prishtinës kishte urdhëruar të premten, 28 shkurt, Kryeministrin Albin Kurti që të paraqitej për intervistim në ora 10:00 në Prokurorinë Speciale për skandalin me rezervat shtetëtore.
Përparim Kryeziu, përmes një postimi të bërë në Facebook më 11 dhjetor, se Qeveria e Kosovës kishte pranuar ftesën e Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës për intervistim të Kurtit më 12 dhjetor, por Kryeziu e kishte cilësuar si tentim ndikimi në rezultatin e zgjedhjeve 2025.
Për Kryeministrin ishte bërë edhe thirrja e dytë nga ana e Prokurorisë Speciale, ku thuhej se Kryeministri Kurti duhej të paraqitej për më 16 dhjetorit në ora 09:30, mirëpo edhe në këtë rast ai nuk kishte shkuar, e madje u kishte caktuar orare prokurorëve se kur mund të shkonin në zyren e tij për të marrë dëshminë./Reporteri/