Pika kufitare në Izvor, ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, ende mbetet e mbyllur, dhjetë vjet pas marrëveshjes në Bruksel për hapjen e saj. Pala serbe ka refuzuar vazhdimisht funksionalizimin e këtij kalimi kufitar. Edhe rruga që lidh këtë pikë kufitare me fshatin Banjskë të Zveçanit, e cila ka qenë në gjendje të rënduar, do të mbetet në këtë situatë për së paku një vit tjetër.
Për hapjen e këtij kalimi dhe asaj në Kapi të Sfircës në Kamenicë, Bashkimi Evropian ka konfirmuar se ka marrë përsipër hartimin e një propozimi për funksionalizimin e tyre.
LEXO EDHE:
Ky është parashikimi i motit për javën e ardhshme
Pika kufitare në Izvor, ndodhet në një zonë kodrinore-malore ndërmjet Zveçanit dhe Novi Pazarit në Serbi, por asnjëherë nuk ka shërbyer për qëllimin e saj, për shkak të refuzimit nga pala serbe. Ky kalim kufitar ishte planifikuar në kuadër të Protokollit Teknik të Brukselit për Menaxhimin e Integruar të Kufirit, por nuk ka arritur të jetë funksional.
Pas dhjetë vjetësh, Bashkimi Evropian ka marrë përsipër detyrën e jetësimit të kësaj marrëveshjeje dhe ka përgatitur një propozim për hapjen e dy pikave kufitare, që ishin dakorduar më parë. Sidoqoftë, ende nuk ka ndodhur hapja e këtyre pikave kufitare.
Në ndërkohë, për së paku një vit, banorët e zonës dhe policët kufitarë të Kosovës, së bashku me pjesëtarët e KFOR-it, do të vazhdojnë të përballen me gjendjen e rënduar të rrugës që lidh fshatin Banjskë me këtë pikë kufitare.
Disa segmente të kësaj rruge janë të mbushura me gurë e baltë, dhe të dëmtuara janë edhe pjesë të asfaltuara. Përmirësimi i kësaj rruge është planifikuar të realizohet deri në vitin 2026, me një investim prej 672 mijë eurosh nga buxheti qendror.
Në këtë zonë, që për vite ka qenë një nga pikat kryesore të kontrabandës, tani janë vendosur patrulla të Policisë së Kosovës dhe janë shtuar forcat e KFOR-it.
Hapja eventuale e pikës kufitare do të zvogëlonte ndjeshëm distancën ndërmjet Basnjkës dhe Novi Pazarit, por mbetet për t’u parë nëse kjo do të ndodhë ndonjëherë.
Ky proces ka krijuar shumë tensione dhe sfida, dhe është një nga çështjet më të diskutuar në dialogun ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.