Kur flasim për dorëheqjen dhe shërbimin, ne kemi parasysh një vend normal demokratik. A është Maqedonia e Veriut e tillë?
Shkruan: Xhelal Neziri
Çdo politikan ambicioz duhet ta dijë se kur e merr një funksion, e merr një detyrë. Ajo detyrë është t’i shërbesh vendit, popullit tënd pasi ti dhe njerëzit që të rrethojnë kanë vlerësuar se mund të jesh një shërbetor i mirë i qytetarëve. Nëse nuk arrin t’i shërbesh si duhet, largohesh, japësh dorëheqje pa menduar dy herë. Mund të kesh qëllimin e mirë, mund të mos kesh fare faj, por kur ndodh një tragjedi si ajo në Koçan, ku humbën jetën 59 persona e mbi 150 u lënduan, dorëheqja e ministrit apo ministrave të emëruar që shërbejnë është akti i parë që duhet të ndodhë.
Kur flasim për dorëheqjen dhe shërbimin, ne kemi parasysh një vend normal demokratik. A është Maqedonia e Veriut e tillë?
Në vitin 2018 në Laskarcë të Shkupit vdiqën 13 shtetas në një aksident autobusi. Në vitin 2021 një autobus u dogj në rrugët e Bullgarisë me 45 udhëtarë brenda teksa udhëtonte nga Turqia. Në po të njëjtin vit në Tetovë u dogjën të gjallë 14 njerëz, që mjekoheshin nga koronavirusi në spitalin modular në Tetovë. Këto ditë në Koçan vdesin 59 të rinj shkaku i diskotekës pa asnjë standard sigurie, që organizon koncert pa asnjë protokoll sigurie, por që askush nuk ia vë drynin.
Cili ministër dha dorëheqje pas këtyre tragjedive? Në tragjeditë e vitit 2018 dhe 2021 ministrat e koalicionit LSDM-BDI u shpëtuan me marifete mediatike. Tani nuk kanë se si të kërkojnë nga ministrat e VMRO-DPMNE-së të japin dorëheqje për këtë tragjedi. Pas disa viteve, një qeveri tjetër nuk do të “sakrifikojë” asnjë ministër në tragjedinë e radhës, pasi tashmë është bërë praktikë. Praktika në demokraci ndonjëherë është më e fuqishme se ligji dhe kushtetuta. Praktika që po i përsërit e ripësërit tragjeditë, ku të gjithë janë fajtorë përveç fajorëve të vërtetë.
Si funksionon bota normale? Ja 10-të shembuj se si kanë reaguar qeveritë:
Këtë vit në Serbi dorëheqje dha kryeministri Milosh Vuçeviq. Arsyeja – shembja e një çatie në stacionin hekurudhor në Novi Sad, ku humbën jetën 15 persona.
Drejtoresha e Shërbimit Sekret të SHBA-së, Kimberly Cheatle, në vitin 2024 dha dorëheqjen pas një atentati ndaj Donald Trump. Në dëshminë e saj para Kongresit, Cheatle e cilësoi ngjarjen si “dështimin më të madh operacional” të agjencisë në dekada.
Në vitin 2023 në Spanjë, pas përmbytjeve fatale në Valencia, Mbreti Felipe VI u përball me zemërimin e banorëve, të cilët kërkuan dorëheqjen e kryeministrit Pedro Sançez, duke e akuzuar për menaxhim të dobët të krizës.
Ministri i Transportit, Kostas Karamanlis, më 28 shkurt 2023 dha dorëheqje pas një përplasje fatale mes dy trenave në Larisë, Greqi, që shkaktoi vdekjen e 57 personave.
Kryeministri rumun, Viktor Ponta, dha dorëheqjen së bashku me disa anëtarë të kabinetit të tij pasi më 30 tetor 2015, një zjarr në klubin e natës “Colectiv” në Bukuresht u mori jetën 64 personave dhe plagosi qindra të tjerë
Ministri i Transportit në Japoni, Toshihiro Nikai në vitin 2005 dha dorëheqjen pas daljes nga shinat të një treni në Amagasaki, ku humbën jetën mbi 100 persona.
Kryeministrja daneze, Helle Thorning-Schmidt, në vitin 2015 dha dorëheqjen pas të shtënave në Kopenhagë.
Kryeministri japonez, Eisaku Sato në vitin 1964 ka dhënë dorëheqje pas tërmetit në Niigata, duke marrë përgjegjësi morale.
Kryeministri izraelit, Ehud Olmert, në vitin 2008 dha dorëheqjen pas kritikave për menaxhimin e Luftës së Dytë të Libanit.
Presidentja e Shri Lankës, Chandrika Kumaratunga, në vitin 1999 dha dorëheqjen si Presidente pas një incidenti me bombë që ngriti pyetje mbi masat e sigurisë.
Nëntë muaj pas marrjes së pushtetit, kryeministri Hristijan Mickoski, kërkon përgjegjësit gjithandej, por jo në kabinetin qeverisës. Dorëheqjet si akt moral jepen për të ruajtur besimin e qytetarëve në institucione, në rastin konkret të qeverisë. Nëse kjo nuk do të ndodhë, besimi i qytetarëve në pushtetin ekzekutiv do të barazohet me atë të gjyqësorit. Kurse ministrat, ndërkaq, do të kenë një imunitet absolut të ngritur mbi tragjeditë e njëpasnjëshme.