Kryeministri izraelit, Benjamin Netanyahu, e ka shkarkuar drejtorin e agjencisë së sigurisë “Shin Bet”, Ronen Bar, për shkak të dështimit të këtij institucioni për ta parashikuar sulmin e 7 tetorit të vitit 2023 nga Hamasi.
Kabineti qeveritar izraelit u mblodh të enjten në mbrëmje për ta miratuar formalisht shkarkimin e Bar-it, i cili ishte emëruar në tetorin e vitit 2021 për një mandat 5-vjeçar, raporton televizioni BBC.
Netanyahu e kishte bërë të ditur synimin e tij për ta shkarkuar Bar-in përmes një video-deklarate të dielën, duke përmendur një “mosbesim të vazhdueshëm” mes dy zyrtarëve, për të cilin ai tha se “është rritur me kalimin e kohës”.
Vendimi nxiti zemërim dhe i nxiti edhe më shumë protestat anti-qeveritare në Jerusalem, ku mijëra izraelitë u bënë bashkë me protestuesit që po e kundërshtojnë rinisjen e sulmit të forcave izraelite ndaj Gazës.
Kjo është hera e parë në historinë e Izraelit që Qeveria e shkarkon udhëheqësin e agjencisë “Shin Bet”.
Në një letër dërguar nga Netanyahu anëtarëve të Qeverisë para takimit u përmend “humbja e vazhdueshme e besimit profesional dhe personal” mes kryeministrit dhe z. Bar dhe u propozua që mandati i tij të përfundohej më 20 prill.
“Humbja e besimit profesional është konsoliduar gjatë luftës, përtej dështimit operacional të 7 tetorit (2023), dhe posaçërisht muajve të fundit” – thuhet në letër, duke iu referuar sulmeve të Hamasit ndaj Izraelit, të cilat më pas e nxitën luftën në Gaza.
“Shin Bet” është agjenci izraelite për siguri të brendshme dhe luan një rol kyç në luftën kundër Hamasit. Aktivitetet dhe anëtarësia në të janë sekrete shtetërore që ruhen fort.
Vetë Ronen Bar-i e ka përshkruar vendimin për shkarkimin e tij si të motivuar politikisht. Gazeta “The Times of Israel” raportoi se ai nuk mori pjesë në votimin e kabinetit qeveritar, por më vonë dërgoi një letër, në të cilën tha se shkarkimi i tij është “tërësisht i njollosur me konflikte interesi”, përderisa agjencia “Shin Bet” po e heton zyrën e kryeministrit rreth dyshimeve për “përfshirjen e Katarit në zemër të vendimmarrjes izraelite”.
Kryeprokurorja e shtetit, Gali Baharav-Miara, muajin e kaluar i urdhëroi policinë dhe agjencinë “Shin Bet” që të hetonin zyrtarë brenda zyrës së Netanyahut nën dyshimet për lidhje financiare me Katarin. Një urdhër për mbajtje sekret të të gjitha të dhënave në lidhje me hetimin tashmë është në fuqi./Nacionale