Në Turqi arrestohen gazetarët që raportonin nga protestat për arrestimin e kundërshtarit kryesor të Erdogan
Autoritetet turke kanë arrestuar nëntë gazetarë gjatë natës që raportonin për protestat në disa qytete, që shpërthyen pas arrestimit të Kryebashkiakut të Stambollit, Ekrem İmamoğlu, njoftoi Sindikata e Gazetarëve të Turqisë të hënën.
Arsyet e arrestimeve ende nuk janë të qarta, por ky veprim erdhi pas vendimit të një gjykate turke që të arrestonte İmamoğlu, rivali kryesor politik i Presidentit Recep Tayyip Erdoğan, në pritje të një gjykimi për akuza korrupsioni. Ky veprim ka shkaktuar protesta të mëdha në vend, më të mëdhatë që nga vitet e fundit.
Megjithë ndalimet për tubime publike në shumë qytete, protestat anti-qeveritare janë mbajtur për pesë nete radhazi, kryesisht të qeta. Partia kryesore opozitare, Partia Popullore Republikane, ka bërë thirrje për protesta kundër vendimit të gjykatës për İmamoğlu, duke e quajtur atë një vendim të politizuar dhe jo demokratik.
Qeveria e Turqisë e ka mohuar se hetimet janë të motivuara politikisht dhe ka theksuar se gjykatat janë të pavarura. Ndërkaq, İmamoğlu ka hedhur poshtë akuzat kundër tij, duke i cilësuar ato si “akuzat e pabesueshme dhe shpifje”, dhe ka bërë thirrje për protesta në të gjithë vendin.