Objekti i njohur si diskoteka “Puls”, e dedikuar për industrinë e lehtë e jo kabare, ku nga zjarri humbën jetën 59 persona, para tragjedisë ka qenë vend ku kanë ndodhur përleshje dhe incidente të tjera, disa prej të cilave janë denoncuar në polici. Deri në ditën e tragjedisë, që nga fillimi i vitit të kaluar, dy raste të tilla janë raportuar në polici.
“Në periudhën nga data 01.01.2024 deri më 31.12.2024 dhe nga data 01.01.2025 deri më 16.03.2025, në diskotekën “Puls” kanë ndodhur dy shkelje të rendit dhe qetësisë publike dhe gjatë kësaj periudhe nuk është ngritur asnjë kallëzim penal për vepra të kryera në të njëjtën”, thonë nga MPB.
Policia nuk ka dhënë më shumë detaje rreth këtyre denoncimeve, por banorët e Koçanit thonë se në këtë diskotekë ka pasur edhe incidente të tjera që nuk janë denoncuar. Diskoteka ndër vite ka funksionuar me licencë të falsifikuar dhe nuk i ka plotësuar as kushtet elementare të funksionimit, pa hidrant, pa numër të mjaftueshëm të aparateve kundër zjarri dhe nuk ka pasur dyer të mjaftueshme për dalje emergjente, siç ishte rasti i 16 marsit, kur ndërtesa u shkrumbua për vetëm disa minuta. Për të gjitha këto dështime që çuan në tragjedi të paparë, deri më tani janë ndaluar 34 persona fizik dhe tre persona juridik.
Të gjithë ata akuzohen për vepra të rënda kundër sigurisë publike, të cilat parashikojnë dënime me burg nga tre deri në maksimum 20 vjet. Për marrjen e ryshfetit është denoncuar edhe një person, një punonjës i Ministrisë së ekonomisë, i cili ka miratuar funksionimin e diskotekës edhe pse ka ditur se licenca është e falsifikuar. Në mesin e këtyre personave në paraburgim janë ish-ministri i ekonomisë Kreshnik Bekteshi, ish drejtori i Inspektoratit të tregut Goran Trajkovski, kryetari i komunës së Koçanit në dorëheqje Lupço Papazov si dhe paraardhësit e tij Ratko Dimitrov dhe Nikollço Iliev.
Prapa grilave përfunduan edhe ish-drejtori i Drejtorisë për mbrojtje dhe shpëtim, Bekim Maksuti, si dhe ish-sekretarja shtetërore në Ministrinë e Ekonomisë, Razmena Cekiç. Grupi i prokurorëve që punon për këtë çështje është zgjeruar në 11 hetues, të cilët pritet të intervistojnë më shumë se 300 dëshmitarë. Ndërkohë policia ka kontrolluar edhe shtëpinë e pronarit të diskotekës “Puls” ndërse jozyrtarisht janë thirrur në pyetje bashkëshortja dhe vajza e tij. Kryeministri dhe ministri i Brendshëm kanë përsëritur disa herë se kushdo që ka lidhje me këtë rast do të merret në pyetje dhe se do të ketë drejtësi dhe përgjegjësi për këtë rast.