Në 14 vjet, 58 gra të vrara në Kosovë

Për 14 vjet, 58 gra janë vrarë në Kosovë nga bashkëshortët, ish-bashkëshortët apo nga familjarë të tyre. Vetëm gjatë vitit të shkuar kanë ndodhur tri.

Një vrasje e rëndë, në Kosovë dënohet me minimumi 10 vjet burgim dhe maksimumi, burgim të përjetshëm. E kjo masë është shqiptuar nga gjykatat në tri raste, teksa njëri është rrëzuar nga Gjykata e Apelit.

Njohës të drejtësisë dhe të sigurisë i kanë vlerësuar dënimet për të akuzuarit për vrasje të grave si kryesisht të buta dhe të vonuara.

Kjo, sipas juristit, Anton Nrecaj, përbën dështim të institucioneve të drejtësisë.

“Ne kemi dy vendime të Gjykatës Kushtetuese, që ka vendosur sa i përket dështimit të institucioneve në mbrojtje të viktimave të dhunës në familje. Në njërin rast, kemi kur Gjykata ka dështuar t’i ofrojë mbrojtje viktimës dhe rasti tjetër është kur Policia nuk i ka ofruar mbrojtje viktimës”, ka thënë Ndrecaj.

E për parandalimin e vrasjeve, njohësi i sigurisë, Arben Dashevci, e sheh të domosdoshëm ashpërsimin e sanksionet penale për kryerësit.

“Janë shqetësuese, shkaktojnë shqetësim te qytetarët e Republikës së Kosovës dhe definitivisht për këta persona që i bëjnë këto raste që i quaj makabre dhe mjaft të tmerrshme, sanksionet penale duhet të ashpërsohen për ta, gjithmonë për preventivë dhe gjithmonë për parandalim që këto raste të zvogëlohen në mënyrën sa më minimale”, është shprehur Dashevci.

Për vrasjen e një 43-vjeçareje në Pejë në prill të 2024-s, Gjykata Themelore e Pejës i ka shqiptuar bashkëshortit të saj dënimin me burgim të përjetshëm, pas pranimit të fajësisë. Kjo masë iu shqiptua nga Apeli edhe vrasësit të 18-vjeçares Marigona Osmanit nga Ferizaj, Dardan Krivaqa.

E të akuzuarit për vrasjen e Donjeta Pajazitajt, dënimi me burgim të përjetshëm i është rrëzuar nga Apeli dhe ai është në liri.

Së fundi, Prokuroria Themelore në Prishtinë ngriti aktakuzë ndaj Naim Murselit, për vrasjen e bashkëshortes, Liridona Ademaj, dhe procesi kundër tij është ende në vazhdim.

Në proces gjyqësor është edhe rasti i vrasjes së 21-vjeçares, Erona Cokli, në prill të 2024-s, për të cilën Themelorja në Ferizaj ka ngritur aktakuzë ndaj ish-bashkëshortit të saj. Por shqyrtimi gjyqësor është shtyrë në afat të pacaktuar, shkaku se ndaj të pandehurit Valon Aliu, është lëshuar urdhëresë për ekzaminim psikiatrik./Koha