Mungesa e Thaçit në varrimin e babait të vet, Krasniqi: E paarsyeshme dhe e papranueshme

Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi bëri homazhe pranë arkivolit të Haxhi Thaçit si dhe u nënshkrua në librin e zisë.

Babai i ish-presidentit Hashim Thaçi, vdiq të dielën pasi për një kohë qëndroi i shtrirë në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës.

Sipas Organizatës së Veteranëve të Luftës së UÇK-së, Gjykata Speciale nuk i ka dhënë leje Hashim Thaçit që të marrë pjesë në varrimin e babait të vet.

Sipas Krasniqit, kjo është e padrejtë dhe e papranueshme.

“Është një humbje e cila bëhet edhe më rëndë sidomos për shkak të mungesës së presidentit Thaçi që nuk u lejua të marrë pjesë në varrimin e babait të tij. Së paku në fund të jetës së bacës Haxhi ai e pati mundësinë ta shoh edhe njëherë por besoj që është krejtësisht e padrejtë dhe e papranueshme, dhe e paarsyeshme, mungesa e presidentit Thaçi sot në varrimin e babait të tij”, tha Krasniqi të martën pas homazheve në Skenderaj.

Homazhe kanë bërë edhe ish-bashkëpunëtorë të tjerë të Thaçit, ish-komandantë të UÇK-së, politikanë e qytetarë.

Hashim Thaçi vizitoi të enjten babain e vet në QKUK, me një leje nga Gjykata Speciale, e cila po gjykon për krime të pretenduara të luftës.

Pas vizitës rreth tre orësh nën masa të rrepta të sigurisë, Thaçi u rikthye sërish në Hagë – qytetin holandez ku e ka selinë kjo gjykatë.

Hashim Thaçi po përballet me një proces të tejzgjatur gjyqësor pranë Dhomave të Specializuara të Kosovës – të njohura si Gjykata Speciale.

Ai po qëndron në paraburgim prej nëntorit të vitit 2020 nën akuzat për krime të pretenduara të luftës.

Gjykimi ndaj tij ka nisur në prill të vitit 2023.

Bashkë me Thaçin, po gjykohen edhe Kadri Veseli, Jakup Krasniqi e Rexhep Selimi. Ish-krerët e UÇK-së janë deklaruar të pafajshëm për të gjitha pikat e aktakuzës.