“Mosmarrëveshja e komunikacionit që përfundoi me vrasje” – zbardhet rasti në Çair, nën hetime 8 persona!
Ministria e Punëve të Brendshme ka bërë të ditur se është zbardhur rasti për vrasjen që ndodhi më 10 shkurt 2025 në një parking në Çair, ku humbi jetën H.B. nga Shkupi.
Siç mësohet, 8 persona do të përgjigjen para drejtësisë si të përfshirë në rast për veprat penale si “vrasje”, “vepra të rënda kundër sigurisë së përgjithshme”, “shkaktim të rrezikut të përgjithshëm”, “bashkëkryerje” dhe “ndihmesë të kryerësit në kryerjen e veprës penale”.
“SPB Shkup ka ngritur kallëzim penal kundër N.M.(28) nga Shkupi për shkak të ekzistimit të dyshimit se ka kryer veprën penale “vrasje” dhe “vepra të rënda kundër sigurisë së përgjithshme” në lidhje me veprën penale “shkaktim të rrezikut të përgjithshëm”, kundër B.B.(39), A.D.(34), B.A.(30) të gjithë nga Shkupi, për shkak të ekzistimit të dyshimit se ka kryer veprën penale “shkaktim të rrezikut të përgjithshëm”, kundër N.D.(22) dhe A.D.(23), që të dy nga Shkupi për shkak të ekzistimit të dyshimit se ka kryer veprën penale “bashkëkryerje” në lidhje me veprën penale “vrasje” kundër N.G.(39) dhe K.T.(28) të gjithë nga Shkupi për shkak të ekzistimit të dyshimit se ka kryer veprën penale “ndihmesë të kryerësit në kryerjen e veprës penale”, thuhet mes tjerash në njoftim.
Nga MPB-ja kanë zbuluar rrethanat që kanë sjell deri te vrasja, duke bërë të ditur se gjithçka ka nisur nga mosmarrëveshja në komunikacion ndërmjet H.B.(35), i dyshuari i dytë, i tretë dhe i shtatë nga njëra anë dhe i dyshuari i parë, i katërt, i pestë dhe i gjashtë dhe N.M.(31) nga ana tjetër, e cila ka kaluar në përleshje të armatosur.
Pas kësaj, nga MPB bëjnë të ditur se i dyshuari i parë me armë ka gjuajtur disa projektila dhe i ka qëlluar N.D. dhe H.B..
“Nga plagët e marra, H.B. ka vdekur në vendin e ngjarjes. Pas kësaj, i dyshuari i katërt dhe tretë me armë kanë filluar të gjuajnë në mënyrë të pakontrolluar, pas çfarë i dyshuari i tretë është plagosur, kurse nga projektilat janë dëmtuar edhe disa vetura të parkuara të parkuara”, thuhet më tej në njoftim.
Por nuk ka përfunduar vetëm këtu, kryerësit e vrasjes kanë tentuar t’i fshehin edhe gjurmët në vendin e ngjarjes.
“I dyshuari i dytë me person tjetër e kanë dërguar të vdekurin në Spitalin e Përgjithshëm të Qytetit “Shën Naumi i Ohrit”, kurse të dyshuarit e tjerë janë përpjekur që t’i fshehin gjurmë, armët dhe veturat”, thuhet në njoftim.
Por pas denoncimit të rastit, Policia ka reaguar dhe i ka arrestuar pjesëmarrësit në ngjarje.