Është kënaqësi për mua që sot jam në këtë rajon. Do t’i vizitojmë projektet nga thirrja e parë në Novo Sellë dhe në Vasilevë. Ashtu siç thanë edhe vetë kryetarët e komunave, po zgjidhen probleme që kanë zgjatur më dekada dhe do të vazhdojmë të zgjidhim probleme të tilla, sepse këtë e kemi thënë dhe e kemi premtuar para qytetarëve dhe duhet ta realizojmë dhe po e realizojmë.
Është shumë e rëndësishme që Maqedonia të ndërtohet, ndryshe nga ajo periudha shtatëvjeçare kur vidhej. Tani ka një ndryshim të dukshëm dhe qytetarët tashmë po e vërejnë këtë, dhe në periudhën që vjen do të vërehet edhe më intensivisht, sepse edhe thirrja e dytë ngadalë por sigurt po përfundon.
Këto investime kapitale janë gjithashtu një mundësi e mirë për ekonominë që të mund të fillojë të lëvizë, kështu që mbetemi të fokusuar në zgjidhjen e problemeve shumëvjeçare të qytetarëve. Kjo është ajo që, do ta përsëris, qytetarët e presin nga ne.
Do të doja ta shfrytëzoj këtë rast për t’i përgëzuar kryetarët e komunave nga ky rajon që janë sot këtu me ne, dhe t’ju uroj edhe më shumë projekte që të mund t’i realizojmë në interes të qytetarëve. Gjithashtu, t’i përgëzoj ministrin përgjegjës, këshilltarët në këshilla, administratën që i përgatit këto projekte, dhe t’ju uroj shumë projekte të tilla.
Njëkohësisht do ta shfrytëzoj këtë rast për të apeluar deri tek kryetari i komunës së Strumicës që ta shfrytëzojë mundësinë e thirrjes së dytë dhe të aplikojë me projekte. Nuk është kohë për politikë të ulët, është kohë të punohet për qytetarët. Kaloi koha kur Maqedonia vidhej, poshtërohej, nënvlerësohej, turpërohej – tani është koha të ndërtohet, pavarësisht që ai ndoshta, për shkaqe parazgjedhore brendapartiake, përpiqet të kritikojë Qeverinë. Në rregull, është e drejta e tij dhe ai mund ta bëjë këtë, por e lus personalisht dhe në emër të Qeverisë të dorëzojë projekte. Natyrisht, që të mos jetë si në thirrjen e parë, të dorëzojë projekte sipas kritereve që të mund t’i financojmë edhe ato projekte për Komunën e Strumicës. Ne do të vazhdojmë t’i financojmë projektet, siç dëgjuat edhe në Novo Sellë, edhe në Bosillevë, edhe në Vasilevë – kështu që nuk ka pjesë të harruara, siç tha edhe ministri i vetëqeverisjes lokale.