Mickoski për parkingun e Qendrës Klinike: Nëse publiku është kundër, nuk do të nënshkruajmë marrëveshjen

Kryeministri Hristijan Mickoski deklaroi sot se nëse publiku është kundër që kompania shqiptare “Gjoka” të menaxhojë parkingun e Qendrës Klinike, atëherë qeveria nuk do ta nënshkruajë marrëveshjen.

Ai akuzoi disa media për shpërndarje të pavërtetash dhe akuza të pabazuara.

“Së pari, është bërë një studim fizibiliteti dhe rezultatet e tij janë të qarta, ne nuk mund të veprojmë ndryshe. Së dyti, u shpall një thirrje publike ku aplikoi vetëm një kompani. Dhe së treti, nuk kemi nënshkruar asgjë. Nëse publiku është kundër – dhe po shohim që është – atëherë nuk do të firmosim marrëveshjen,” tha Mickoski gjatë një vizite në Sveti Nikole.

Ai theksoi se qëllimi i qeverisë është të rregullojë kaosin dhe rrëmujën në parkingun e Qendrës Klinike.

“Le të vendosë Ndërmarrja Publike ‘Parkingini Qytetit’ rregullin. Nuk kam asgjë kundër. Le të thonë ekspertët si duhet zgjidhur ky problem, sepse tani ka vetëm kaos,” shtoi Mickoski.

Më 6 mars, portali “Prizma” raportoi se kompania shqiptare “Gjoka Construction” do të marrë në menaxhim parkingun e Qendrës Klinike në Shkup. Ministri i Shëndetësisë, Arben Taravari, konfirmoi për BIRN se kjo kompani do ta administrojë parkingun për 20 vitet e ardhshme përmes një partneriteti publiko-privat.

Thirrja publike për menaxhimin e parkingut u shpall më 15 nëntor, dhe e vetmja kompani që aplikoi ishte “Gjoka Construction”, e cila u themelua në Tiranë në vitin 1994 dhe që nga viti 2022 ka një degë të regjistruar edhe në Shkup.

Taravari deklaroi se, nëse nënshkruhet marrëveshja, çmimi i parkimit do të rritet nga 30 në 50 denarë.

Aktualisht, parkingu menaxhohet nga Ndërmarrja Publike “Parkingu i Qytetit”, e cila e ka pasur këtë përgjegjësi deri në vitin 2023, kur i skadoi kontrata.