Mickoski: Me interpelancat e votuara, anëtarët e Këshillit Gjyqësor nuk kanë më asnjë kredibilitet për të vazhduar me punë

Kryetari i Qeverisë së Republikës së Maqedonisë së Veriut, Hristijan Mickoski, sot u përgjigj në pyetjen e gazetarit për pritshmëritë, pas votimit të interpelancës për pesë anëtarë të Këshillit Gjyqësor. Ai theksoi se më e pakta që pret është përgjegjësia morale dhe që anëtarët e Këshillit Gjyqësor, për të cilët dje Kuvendi votoi mosbesimin, të largohen nga postet e tyre.

“Unë pres të paktën përgjegjësi morale dhe që ata të lëshojnë pozitat që kanë zënë, sepse deputetët deklaruan qartë, ata që i kanë zgjedhur, se kanë humbur çdo kredibilitet. Se ata nuk kanë më asnjë kredibilitet për të qenë në vendet ku janë. Madje, këtë e vërtetojnë duke zgjedhur gjykatësin suprem partiak, që vjen nga Bashkimi Demokratik për Integrim, që është ushtrues detyre, e dini si voton, nuk kam nevojë të shpjegoj këtu. Kështu që, me një fjalë, mburoja e fundit që mbron ish koalicionin qeveritar LSDM-BDI janë disa prokurorë dhe gjyqtarë”, shpjegoi Mickoski.

Kryeministri theksoi se për të, informacionet që po merr janë alarmante, të cilat janë të lidhura me sjelljen e personit të parë në një prokurori, kur mori vesh për aksionin që u realizua dy ditë më parë nga Ministria e Punëve të Brendshme dhe Byroja për Siguri Publike.

„Ata nuk e kanë vendin aty. Nëse duan të jenë argëtues të oborreve partiake, atëherë vendi i tyre nuk është në prokurori, por në ato hacienda të mëdha që janë ndërtuar në Maqedoninë Perëndimore. Por, nëse duan vërtet të implementojnë drejtësi, atëherë duhet të ndryshojnë sjelljen e tyre. Por, ajo që dëgjova për atë se si sillej ai njeri, mendoj se shumë shpejt, prej sot, do të pendohet. Por, kam frikë se atëherë do të jetë vonë për të“, tha ai.