Ish-presidenti i Kroacisë, Stipe Mesiç, ka thënë se marrëveshja në mes të Kosovës, Shqipërisë dhe Kroacisë në fushën e mbrojtjes është një marrëveshje e mirë, derisa ka shtuar se presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiq, s’ka pse shqetësohet meqë marrëveshja në mes të këtyre tri shteteve është për mbrojtje.
Marrëveshja e arritur në mes të Kosovës, Shqipërisë dhe Kroacisë në fushën e mbrojtjes ka marrë shumë vëmendje dhe ka nxitur reagime të shumta, sidomos në Serbinë e Aleksandër Vuçiqit.
Ka qenë vetë kreu i shtetit serb që i ka dhanë dramë gjithë ngjarjes. Duke folur në Bruksel pas takimit me Sekretarin e NATO-s, Vuçiq kishte bërë përpjekje për ta paraqitur marrëveshjen si një zhvillim kundër Serbisë. Ndërkohë që Ministria e Puënve të Jashtme e Serbisë kishte thënë se do t’iu kërkonte llogari Kroacisë dhe Shqipërisë për këtë marrëveshje me Kosovën.
“Është situatë e vështirë për ne, por ne e kemi kuptuar mesazhin e tyre. Dhe, ne do ta ruajmë vendin tonë, do t’i pengojmë ata dhe gjithmonë do ta mbrojmë me sukses nga çdo agresor i mundshëm, qoftë edhe një agresor kaq i fuqishëm”, ka deklaruar Vuçiq për gazetarët në Bruksel më 19 mars.
Megjithatë ish-presidenti i Kroacisë, Stipe Mesiç, në një përgjigje për Gazetën Express, ka thënë se presidenti i Serbisë, Aleksander Vuçiq, s’ka pse të shqetësohet meqë marrëveshja mes tri shteteve ka të bëjë me aspekte të mbrojtjes.
“Nuk ka asnjë arsye që presidenti i Serbisë të shqetësohet, sepse bëhet fjalë për një marrëveshje mbrojtjeje”, ka thënë ish-presidenti Mesiç për Express.
Marrëveshjen në fushën e mbrojtjes mes Kosovës, Shqipërisë dhe Kroacisë e ka cilësuar si një marrëveshje të mirë, me mundësi që t’i bashkohen edhe shtete të tjera.
“Marrëveshja e mbrojtjes së Kosovës, Shqipërisë dhe Kroacisë është e mirë, me mundësinë që edhe vende të tjera të bashkohen”, ka përfunduar ish-presidenti kroat, Stipe Mesiç.