Mesiç: Vuçiq s’ka pse shqetësohet, marrëveshja me Kosovën e Shqipërinë është për mbrojtje

Ish-presidenti i Kroacisë, Stipe Mesiç, ka thënë se marrëveshja në mes të Kosovës, Shqipërisë dhe Kroacisë në fushën e mbrojtjes është një marrëveshje e mirë, derisa ka shtuar se presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiq, s’ka pse shqetësohet meqë marrëveshja në mes të këtyre tri shteteve është për mbrojtje.

Marrëveshja e arritur në mes të Kosovës, Shqipërisë dhe Kroacisë në fushën e mbrojtjes ka marrë shumë vëmendje dhe ka nxitur reagime të shumta, sidomos në Serbinë e Aleksandër Vuçiqit.

LEXO EDHE:
NATO deklarohet për aleancën ushtarake Kosovë-Shqipëri-Kroaci
Ka qenë vetë kreu i shtetit serb që i ka dhanë dramë gjithë ngjarjes. Duke folur në Bruksel pas takimit me Sekretarin e NATO-s, Vuçiq kishte bërë përpjekje për ta paraqitur marrëveshjen si një zhvillim kundër Serbisë. Ndëkrohë që Ministria e Puënve të Jashtme e Serbisë kishte thënë se do t’iu kërkonte llogari Kroacisë dhe Shqipërisë për këtë marrëveshje me Kosovën.

“Është situatë e vështirë për ne, por ne e kemi kuptuar mesazhin e tyre. Dhe, ne do ta ruajmë vendin tonë, do t’i pengojmë ata dhe gjithmonë do ta mbrojmë me sukses nga çdo agresor i mundshëm, qoftë edhe një agresor kaq i fuqishëm”, ka deklaruar Vuçiq për gazetarët në Bruksel më 19 mars.

Megjithatë ish-presidenti i Kroacisë, Stipe Mesiç, ka thënë se presidenti i Serbisë, Aleksander Vuçiq, s’ka pse të shqetësohet meqë marrëveshja mes tri shteteve ka të bëjë me aspekte të mbrojtjes.

“Nuk ka asnjë arsye që presidenti i Serbisë të shqetësohet, sepse bëhet fjalë për një marrëveshje mbrojtjeje”, ka thënë ish-presidenti Mesiç për Express.

Marrëveshjen në fushën e mbrojtjes mes Kosovës, Shqipërisë dhe Kroacisë e ka cilësuar si një marrëveshje të mirë, me mundësi që t’i bashkohen edhe shtete të tjera.

“Marrëveshja e mbrojtjes së Kosovës, Shqipërisë dhe Kroacisë është e mirë, me mundësinë që edhe vende të tjera të bashkohen”, ka përfunduar ish-presidenti kroat, Stipe Mesiç.

Ndaj reagimeve të Serbisë për marrëveshjen kanë reaguar edhe krerët e shtetit kroat. Kryeministri Andrej Plenkovic ka thënë se për bashkëpunimin me Kosovën e Shqipërinë nuk e pyesin Serbinë.

“Para se të flasin, do të ishte mirë që ta marrin mundin për pesë minuta dhe ta lexojnë atë marrëveshje. Ai memorandum është një memorandum për bashkëpunim. Aty nuk ka asnjë karakter armiqësor, kështu që e kuptoj se tash duhet kërkuar probleme diku tjetër, por në këtë tekst nuk mund të gjejnë”, ka thënë Plenkovic, duke folur para gazetarëve në Bruksel më 20 mars 2025.

Më herët edhe ministri i Mbrojtjes i Kroacisë, Ivan Anushiq, i ishte përgjigjur Serbisë në reagim, duke thënë se “ka kaluar koha kur Zagrebi është dashur ta pyesë Beogradin se çfarë mund të bëjë e çfarë jo” dhe ka shtuar se “kjo kohë më nuk do të kthehet kurrë”.

Edhe kreu i Ministrisë së Mbrojtjes së Shqipërisë, Ejup Maqedonci, ka thënë se Aleanca me Shqipërinë e Kroacinë s’ka për synim të kërcënojë asnjë shtet dhe se është një mesazh për paqe.

“Ne nuk synojmë të kërcënojmë askënd, as në Ballkanin Perëndimor, as kudo tjetër. Dëshirojmë të dërgojmë mesazh për stabilitet dhe siguri, por edhe mesazh për të gjithë ata që synojnë të kërcënojnë sigurinë në Ballkanin Perëndimor, territorin dhe jetën e qytetarëve të vendeve tona,” ka deklaruar Maqedonci më 20 mars.

Sot ka reaguar edhe ministri i Mbrojtjes së Shqipërisë, Pirro Vëngu, duke publikuar marrëveshjen e plotë mes tri shteteve. Ministri shqiptar thotë se Serbia ka injoruar prej dy vitesh iniciativat rajonale dhe në këtë mënyrë ia ka pamundësuar vetes mundësinë për të nxitur apo për të marrë pjesë në konsultime shumëpalëshe.

Vëngu ka thënë pezullimi i një qëndrimi të tillë injorues të Serbisë është në dorën e Beogradit zyrtar që të lihet anash, dhe kjo gjë e bën të kotë çdo narrative viktimizuese që vjen nga Serbia.