Mediat ruse, pas debatit të ashpër mes Donald Trump dhe Volodymyr Zelensky në Shtëpinë e Bardhë, nuk e fshehin gëzimin e tyre – nga tituj që flasin për “poshtërimin” e presidentit ukrainas deri te pretendimet se Trump e ka lënë Ukrainën në mëshirën e Rusisë.
Ndërsa Moska zyrtare po e komenton ngjarjen me triumf, analistët paralajmërojnë se një zhvillim i tillë mund të ndryshojë ndjeshëm marrëdhëniet në arenën botërore dhe ta rikthejë dinamikën gjeopolitike në kushtet e Luftës së Ftohtë.
Takimi historik mes Zelensky dhe Trump, që pritej të ishte një hap drejt fundit të konfliktit në Ukrainë, mori një kthesë krejtësisht të papritur.
“Zelensky u dëbua nga Shtëpia e Bardhë”, shkruan RIA Novosti.
“Veshët e Zelenskyt u skuqën nga Trump”, raporton Kommersant.
“Trump e hodhi Zelenskyn përpara gjithë botës”, gëzohet Moskovsky Komsomolets.
“Pas kësaj, Zelensky është një kufomë politike”, shkruan Vzglyad, duke theksuar se presidenti ukrainas “do të jetë me fat nëse nuk përfundon në Guantanamo”, duke aluduar për burgun famëkeq në bazën ushtarake amerikane në Kubë.
“Zelensky nuk është i gatshëm për paqe”, thekson TASS.
Interfax komenton shkurt: “Zelensky nuk ka më asnjë kartë nën mëngë. Tani që humbi mbështetjen e SHBA-së, ai po shkon drejt plehrave të historisë”.
“Pas sherrit publik me Zelenskyn, Trump e dëboi nga Shtëpia e Bardhë”, është titulli kryesor i Izvestia.
Deklaratë ka bërë edhe Dmitry Medvedev, ish-presidenti rus dhe bashkëpunëtor i ngushtë i Vladimir Putinit.
“Derri i paturpshëm mori një shuplakë në mes të Zyrës Ovale,” – deklaroi Medvedev.