“Me një buzëqeshje në fytyrë do ta ndal eksportin e energjisë në SHBA, ata duhet ta ndiejnë dhimbjen” – Kanadaja përgjigjet ndaj tarifave të Trumpit

Presidenti amerikan Donald Trump nuk priti gjatë për të marrë përgjigje nga Kanadaja pas vendimit të tij për të vendosur një tarifë prej 25% për importet nga fqinjët veriorë.

Kryeministri i Ontarios, Doug Ford, deklaroi se është i gatshëm të ndalojë eksportin e energjisë elektrike në SHBA “me një buzëqeshje në fytyrë”, raportoi “The Hill”.

“Nëse duan të përpiqen të shkatërrojnë Ontarion, unë do të bëj gjithçka, përfshirë ndalimin e furnizimit të tyre me energji, dhe do ta bëj këtë me një buzëqeshje në fytyrë”, tha Ford gjatë një panairi minerar në Toronto, sipas “Toronto Sun”.

Ford konfirmoi gatishmërinë e tij për t’iu përgjigjur tarifave amerikane me masa hakmarrëse, duke theksuar se SHBA-ja është blerësi kryesor i energjisë elektrike kanadeze.

“Ata varen nga energjia jonë. Ata duhet ta ndiejnë dhimbjen. Nëse duan të veprojnë kundër nesh, ne do të përgjigjemi dyfish më fuqishëm”, tha ai.

Sipas të dhënave, Kanadaja eksportoi 38 milionë megavat energji elektrike në SHBA gjatë vitit 2023. Ford theksoi se qeveria federale dhe provinciale janë të bashkuara në përballjen me tarifat amerikane, duke paralajmëruar masa të njëjta si kundërpërgjigje.