Mbyllet aeroporti më i madh në Britani shkaku i një zjarri, preken qindra fluturime

Aeroporti Heathrow në Britaninë e Madhe, një prej aeroporteve më të ngarkuar në botë, është mbyllur pas një zjarri në një nënstacion elektrik në Hayes. Zjarri ka shkaktuar ndërprerje të energjisë elektrike në tërë aeroportin.

Të paktën 120 aeroplanë drejt Heathrowit janë ulur në aeroporte të tjera. Sipas njoftimit në faqen e aeroportit, ai do të qëndrojë i mbyllur deri mesnatën e 21 marsit.

Sipas “Flightradar24”, më shumë se 1,000 fluturime do të ndikohen nga mbyllja e papritur e aeroportit.

Një zëdhënës i aeroportit ka thënë se ndërprerjet mund të zgjasin me ditë, raportoi The Guardian.

Zjarri ka shkaktuar ndërprerje edhe për banorët në Londër. Pamjet nga nënstacioni kanë treguar shtëllunga tymi e flakë zjarri që dilnin nga aty. Ekipet e zjarrfikësve kanë thënë se kanë pranuar rreth 200 thirrje nga zonat përreth.

Linja “British Airways” ka njoftuar se kishte të planifikuara 341 aterrime në Heathroë të premten.

Heathrow ishte aeroporti i dytë ndërkombëtar më i ngarkuar në botë në vitin 2024 pas Dubait. Ky aeroport ka mbi 80 milionë pasagjerë në vit dhe rreth 1,300 fluturime bëhen në ditë.