LSDM mbledh partnerët e koalicionit: Të gatshëm për të kundërshtuar politikat e dëmshme të Qeverisë

Në selinë e LSDM-së, ditë më parë, u mbajt takimi i liderëve të partive të koalicionit ku është biseduar për situatën aktuale politike dhe nevojën e një marrëveshjeje të re ndërkoalicionuese dhe nënshkrimit të një platforme të re bashkëpunimi.

Sipas LSDM-së, konkluzat që dolën nga ky takim, janë se vetëm për 9 muaj Qeveria ka zhgënjyer qytetarët, se situata ekonomike përkeqsohet në mënyrë dramatike, ka ngecje dhe bllokim të plotë të eurointegrimeve, kurse vendimet e fundit në politikën ndërkombëtare tregojnë devijim nga kursi strategjik që mund të kërcënojë stabilitetin e vendit.

Si përgjigje ndaj këtyre sfidave, koalicioni që udhëhiqet nga LSDM-ja, vendosi që ta përforcojë unitetin dhe ta ngrisë bashkëpunimin në nivel më të lartë.

“Një nga segmentet kyçe të marrëveshjes është përforcimi i interesave kombëtare, që nënkupton ndërtimin e konsensusit kombëtar për çështje strategjike, intensifikimin e bashkëpunimit ndërkombëtar dhe avancimin e marrëdhënieve të mira ndërfqinjësore. Koalicioni vazhdon fuqishëm me përcaktimin për eurointegrimet dhe vazhdon me reformat e nevojshme për anëtarësim në BE” – thuhet në komunikatën e LSDM-së.

Siç thuhet në komunikatë, risi e veprimit të Koalicionit është formimi i Këshillit për koalicionin me qëllim të koordinimit më të mirë dhe veprimit të përbashkët.

“Me këtë dinamikë politike, koalicioni që udhëhiqet nga LSDM-ja dërgon mesazh të qartë se është i gatshëm që fuqishëm të kundërshtojë politikat e këqija të Qeverisë. Ky koalicion jo vetëm që garanton stabilitet, por paraqet edhe zgjedhjen e vetme të vërtetë për prosperitet dhe progres për të gjithë qytetarët” – thuhet në komunikatën e LSDM-së.