Lista Serbe ka reaguar pas konferencës së kryeministrit në detyrë, Albin Kurti, i cili ka akuzuar Serbinë për ndërhyrje në zgjedhjet parlamentare të 9 shkurtit.
Lista Serbe tha se ministri në detyrë për Komunitete dhe Kthim, Nenad Rashiq, mandatin e dedikuar serbëve e ka marrë me votat e shqiptarëve, dhe se atë mandat ia ka dorëzuar Kurtit, raporton KosovaPress.
“Kurti, sot me të preferuarin e tij dhe të mbrojturin e tij, ish-serbin, Nenad Rashiq, në një konferencë për shtyp, tha gënjeshtra brutale dhe konfirmoi atë që të gjithë e dimë shumë mirë, se miku i tij Nenad Rashiq është drejtpërdrejt nën kontrollin e tij, se ai mandatin e dedikuar serbëve e ka marrë me votat e shqiptarëve, dhe se atë mandat ia ka dorëzuar Kurtit, dhe se është i dëshpëruar që nuk funksionoi plani për t’i përndjekur të gjithë serbët. Sipas thënies popullore: “Na se i vjen turp të zgjuarit, i marri krenohet,” Rashiqi sot u strehua nën krahun e Albin Kurtit, me të cilin kurdiste plane për të pushtuar institucionet serbe dhe i tregoi mbarë botës se nuk ka qenë dhe nuk do të jetë kurrë përfaqësues i popullit serb,” thuhet në komunikatën e lëshuar nga Lista Serbe.
Lista Serbe thotë se ndihet krenare që ka marrë mbështetjen më të madhe nga populli serb dhe që, me gjithë presionet, shantazhet dhe kërcënimet, ka arritur të rezistojë me ndihmën e harmonisë dhe unitetit të popullit, duke treguar edhe një herë se nuk ka dorëzim!
“Ne jemi gjithashtu krenarë që qëndrojmë nën flamurin serb dhe kemi mbështetjen e presidentit Aleksandar Vuçiq, sepse falë kësaj mbështetjeje, serbët mbijetojnë në këto zona, dhe Rashiq qëndron me Kurtin, i cili dëshiron të dëbojë gjithçka serbe. Prandaj, pas kësaj konference është e qartë për të gjithë se ata që sulmojnë Vuçiqin dhe duan dorëheqjen e tij janë krahu i zgjatur dhe të dëgjuarit e Albin Kurtit, të cilët duan të mos ketë serb në Kosovë,” përfundon reagimi.
Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, ka akuzuar Serbinë për ndërhyrje të drejtpërdrejtë në procesin zgjedhor të 9 shkurtit.
Qeveria ka identifikuar shtatë instanca apo aktorë shtetërorë të Serbisë.