Moska nuk do të pranojë në asnjë rrethanë praninë e trupave të NATO-s në Ukrainë si paqeruajtëse, ka thënë ministri i jashtëm rus Sergei Lavrov.
Në një bisedë me blogerët amerikanë Mario Naufal, Larry Johnson dhe Andrew Napolitano, ministri rus hodhi poshtë pa mëdyshje çdo mundësi për nisjen e një iniciative të tillë.
Ministri i jashtëm rus gjithashtu ka thënë se Evropa dhe Mbretëria e Bashkuar “duan që konflikti për Ukrainën të vazhdojë” dhe se sipas tij, “ata duan të rrisin aksionet dhe po përgatisin diçka që do ta detyronte Uashingtonin të ndërmarrë veprime agresive kundër Rusisë”, transmeton Paparaci.
Ai gjithashtu ka deklaruar se ka ekzistuar mundësia që Ukraina të ruajë kufijtë e saj të vitit 1991, por pa Krimenë dhe një pjesë të Donbasit, sikur autoritetet e saj të bashkëpunonin dhe zbatonin iniciativat e tyre, gjegjësisht, sipas fjalëve të tij, sikur Kievi të kishte respektuar marrëveshjet e Minskut.
“Sa herë që mashtrojnë, humbasin. Ky proces vazhdon”, ka thënë Lavrov, raporton RIA Novosti.
Ministri rus ka shprehur mendimin se SHBA tani kanë filluar të kthehen “në normalitet pa ide antikristiane”, pasi presidenti i ri amerikan Donald Trump mori detyrën.
“Unë mendoj se ajo që po ndodh tani në Shtetet e Bashkuara mund të përshkruhet si një kthim në normalitet. Po flasim për një rikthim në normalitet në formën në të cilën kuptohemi. Ne jemi të krishterë ortodoksë. Vlerat tona janë përgjithësisht të ngjashme”, ka pretenduar Lavrov.
Sipas tij, “është fakt se në pushtet ka ardhur një administratë normale që nuk rrëfen idetë antikristiane”.
Ai ka shtuar se interesat e Federatës Ruse dhe të Shteteve të Bashkuara nuk do të jenë kurrë identike dhe se ato nuk mund të “përkojnë as 50 për qind”./Paparaci.com