Kurti: Qeveria e re do të udhëhiqet nga LVV-ja dhe unë

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, tha se ai do të udhëheqë sërish me ekzekutivin e ri të dalë nga zgjedhjet parlamentare të 9 shkurtit.

Lëvizja Vetëvendosje është fituese e zgjedhjeve të 9 shkurtit me 42.27 për qind të votave të fituara apo 48 ulëse në Kuvendin me 120 vende.

Kjo nënkupton se kjo parti nuk mund ta formojë e vetme ekzekutivin e ri, për të cilin duhen 61 deputetë. Kurti nuk iu përgjigj pyetjeve të gazetarëve se me cilat parti opozitare partia e tij, Lëvizja Vetëvendosje, është më e përafërt.

Por, numri dy i partisë, Glauk Konjufca, ka deklaruar për një media italiane se synojnë që ta formojnë Qeverinë me partitë joserbe.

Konjufca, tha se ka pak të ngjarë që LVV-ja të bashkëpunojë me partitë që aktualisht janë në opozitë. PDK, LDK dhe AAK janë shprehur kundër bashkëpunimit me Kurtin.

Por, kreu i Nismës Fatmir Limaj, ka deklaruar se nuk ka “vija të kuqe” sa u përket koalicioneve të mundshme, qoftë me Vetëvendosjen, qoftë me partitë aktuale në opozitë.

“Së pari rezultatet përfundimtare, pastaj certifikimi, pastaj bisedimet. Qeveria, e sigurt, e udhëhequr nga Lëvizja Vetëvendosje dhe unë”, tha Albin Kurti, Kryeministër i Kosovës.