Kurti, politikani më i votuar në Kosovë

Kryeministri aktual i Kosovës, Albin Kurti, është bërë politikani më i votuar duke ia kaluar edhe presidentes Vjosa Osmani, e cila në zgjedhjet e vitit 2021 kishte arritur që të sigurojë 300 mijë e 788 vota.

Sipas rezultateve të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (KQZ), Kurti ka marrë 4 mijë e 318 vota nga votimi me kusht, 621 vota nga votimi i personave me nevoja të veçanta, 30 mijë e 508 vota nga votimi përmes postës dhe 10 mijë e 792 vota nga votimi në përfaqësitë diplomatike.

Ndërkaq, nga votimi në Kosovë, Kurti ka marr 290 mijë e 862 vota.

Duke i grumbulluar të gjitha këto vota, rezulton se Kurti në zgjedhjet e 9 shkurtit ka siguruar 337 mijë e 101 vota.

Pas pothuajse një muaji nga mbajtja e zgjedhjeve në Kosovë, numërimi i të gjitha votave është përmbyllur të mërkurën. Ky proces, i cili pritej të përfundonte të mërkurën në orën 19:00 të pasdites, ka përfunduar dy orë me vonesë për shkak të një problemi teknik.

Të mërkurën janë numëruar votat me kusht dhe ato të personave me nevoja të veçanta.

Zëdhënësi i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Valmir Elezi, ka bërë të ditur në mbrëmje se nga këto dy kategori janë numëruar mbi 15 mijë e 500 fletëvotime.

Por përkundër përmbylljes së procesit të numërimit të votave, rezultatet përfundimtare nuk do të shpallen menjëherë. KQZ-ja është e detyruar të presë të paktën 48 orë për të lejuar paraqitjen e ankesave në Panelin Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa.

Paraprakisht janë numëruar votat e rregullta në vendvotimet në Kosovë, ato në përfaqësitë diplomatike dhe votat me postë. Në bazë të rezultateve, asnjë parti nuk ka arritur të sigurojë numrin e mjaftueshëm të votave për të qeverisur e vetme.

Lëvizja Vetëvendosje ka siguruar 48 ulëse në Kuvendin e Kosovës, kurse Partia Demokratike e Kosovës 24 sosh. Lidhja Demokratike e Kosovës do t’i ketë 20 mandate, ndërsa koalicioni i udhëhequr nga Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës do t’i ketë 8.