Kurti kujton demonstratat e 1981-s: Rebelimi i studentëve u kthye në inspirim për një rezistencë gjithëpopullore
Kryeministri i vendit, Albin Kurti sot në 44-vjetorin e demonstratave të studentëve tha se nga Prishtina filloi një seri goditjesh tronditëse për Serbinë dhe tërë Jugosllavinë, kur më 11 mars 1981, studentët e Universitetit të Prishtinës u ngritën në një demonstratë masive.
Kurti në një postim në Facebook shkruan se demonstrata e 11 marsit 1981 u shtyp dhunshëm nga policia jugosllave, por fryma e indinjatës dhe e rebelimit të studentëve u kthye në inspirim për një rezistencë gjithëpopullore.
Lexoni të plotë postimin:
Në 44 vjetorin e demonstratave të vitit 1981
44 vite më parë, nga Prishtina filloi një seri goditjesh tronditëse për Serbinë dhe tërë Jugosllavinë, kur më 11 mars 1981, studentët e Universitetit të Prishtinës u ngritën në një demonstratë masive, vetëm një javë pasi ishin revoltuar në mensën e studentëve më 4 mars. Ata po protestonin kundër shtypjes dhe diskriminit, mohimit e kufizimit të të drejtave, si dhe kundër shfrytëzimit dhe pabarazive që shteti i Jugosllavisë po ua bënte shqiptarëve në tërë federatën jugosllave por veçanërisht në Kosovë.
Demonstrata e asaj të mërkure, e datës 11 mars 1981, u shtyp dhunshëm nga policia jugosllave, por fryma e indinjatës dhe e rebelimit të studentëve u kthye në inspirim për një rezistencë gjithëpopullore. Të tjera demonstrata u organizuan edhe më 26 mars, pastaj më 1 dhe 2 prill, që protestat studentore i kthyen në demonstrata gjithëpopullore. Ato u shtypën me dhunë nga policia, kurse në muajt dhe vitet pasuese, autoritetet jugosllave bënë mijëra arrestime arbitrare, gjyqe dhe burgosje politike, duke e bërë Kosovën vendin me numrin më të madh të të burgosurve politikë për kokë banori në gjithë Evropën.
Në demonstratat e vitit 1981, u shfaq parulla “Kosova Republikë”, e cila vazhdoi të shkruhej gjatë tërë asaj dekade, herë e plotë e herë si një akronim me dy shkronja “KR”. Shumë organizata politike ilegale fituan forcë nga demonstratat e vitit 1981 dhe nga trashëgimia e tyre, duke e mbajtur të gjallë shpirtin e revoltës popullore dhe të rezistencës për një Kosovë të lirë. Brezi i demonstruesve dhe aktivistëve të vitit 1981, ishin shtyllë e grupeve themeltare të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, që me luftën e drejtë në dekadën pasuese, e çliruan Kosovën në qershor të vitit 1999. Kështu, parulla popullore “Kosova Republikë”, u bë Deklaratë Kushtetuese më 2 korrik 1990 dhe Kushtetutë e Kaçanikut më 7 shtator 1990 drejt realitetit politik të shpallur më 17 shkurt 2008, në formacionin politik e juridik të Republikës së Kosovës si shtet i pavarur.
Sot u bënë 44 vite prej demonstratës së 11 marsit 1981, andaj le t’i kujtojmë me mirënjohje të thellë dhe me nderime e respekt, studentët dëshmorë, organizatorët, të plagosurit e të burgosurit, si dhe të gjithë pjesëmarrësit e asaj lëvizje që e mbajti aktive rezistencën e popullit të Kosovës drejt aspiratës së tij për liri dhe shtetndërtim.