Ish-guvernatori i Bankës Qendrore, Mark Carney, ka fituar garën për udhëheqës të Partisë Liberale qeverisëse të Kanadasë dhe do ta pasojë Justin Trudeau në postin e kryeministrit, sipas rezultateve zyrtare të publikuara gjatë fundjavës.
Carney do të marrë detyrën në një kohë turbulente për Kanadanë, e cila ndodhet në mes të një lufte tregtare me Shtetet e Bashkuara nën presidentin Donald Trump dhe së shpejti do të duhet të mbajë zgjedhje të përgjithshme.
Carney (59) fitoi 86% të votave, duke mundur ish-ministren e Financave, Chrystia Freeland, në një garë brenda partisë, ku morën pjesë rreth 152,000 anëtarë.
“Dikush po përpiqet ta dobësojë ekonominë tonë,” tha Carney, duke iu referuar Trump-it, çka shkaktoi reagime të forta nga të pranishmit në tubimin e partisë. “Ai po i sulmon punëtorët, familjet dhe bizneset kanadeze. Nuk duhet ta lejojmë ta bëjë këtë.”
“Kjo nuk do të jetë një situatë normale,” shtoi ai. “Do të na duhet të bëjmë gjëra që më parë as nuk mund t’i imagjinonim dhe me një shpejtësi që nuk mendonim se ishte e mundur.”
Trudeau njoftoi në janar se do të largohej pas më shumë se nëntë vitesh në pushtet, pasi popullariteti i tij kishte rënë, duke e detyruar Partinë Liberale të organizojë shpejt zgjedhje të brendshme për një lider të ri.
“Mos bëni asnjë gabim, ky është një moment përcaktues për kombin. Demokracia nuk është e garantuar. Liria nuk është e garantuar. Madje as Kanadaja nuk është e garantuar,” tha Trudeau gjatë fjalimit të tij të lamtumirës.
Carney, i cili nuk ka mbajtur më parë ndonjë post politik të zgjedhur, argumentoi se ai është kandidati më i mirë për të ringjallur partinë dhe për të negociuar me Trump-in, i cili ka kërcënuar me tarifa shtesë që mund të dëmtojnë ekonominë e Kanadasë, e cila varet nga eksportet.